Massimiliano Allegri para medieve

Sport

Milani nesër në fushë, Allegri: Na duhet ekuilibër! Mbrojtje me tre? Varet nga lojtarët, jam shumë i kënaqur me Gimenez

22 Gusht, 14:44| Përditesimi: 22 Gusht, 14:46

  • Share

MILANO - Serie A nis të shtunë me sezonin e ri 2025-26. Milani pret në 'San Siro' Cremonesen duke nisur nga ora 20:45 dhe kureshtja për të parë ekipin e ri të kuqezinjve është e madhe. Në ekip janë afruar emra si Modric, Jashari, Estupinian, Ricci dhe të tjerë, andaj Max Allegri nuk ka justifikime para tifozëve të tij.

Në prag të sfidës numri një i pankinës së 'Djallit' tha se në varësi të lojtarëve do shohë edhe skemën me tre në prapavijë, por kërkon ekuilibrër. Livornezi flet fjalët më të mira për sulmuesin Gimenez.

"-Na bëni një përmbledhje të përgatijeve të verës…

Nesër fillojmë sezonin e ri, është një ndeshje e rëndësishme dhe ka shumë kuriozitet edhe nga ana ime, sepse kthehem në stol pas një viti. Tifozët janë të rëndësishëm, jemi të kënaqur për mbështetjen e marrë ndaj Barit. Të gjithë së bashku nisim një rrugëtim që duhet të na çojë në mars në një pozicion optimal në renditje.

Për mendimin tim, në mars vendoset sezoni, ndaj duhet të arrijmë në gjendjen më të mirë atje. Jam shumë i kënaqur me grupin, si nga ana teknike, ashtu edhe psikologjike. Grupi po bëhet skuadër. Nesër parashikoj ndeshje të komplikuar, të vështirë.

Ndeshjet e para të kampionatit janë gjithmonë më të vështirat, sepse forma nuk është optimale dhe merkatoja është ende e hapur. Duhet të jemi të përqendruar. Skuadrat e Nicola janë gjithmonë të vështira, t’i ngushtojnë hapësirat, ndaj do të na duhet durim.

-A jeni më shumë i habitur apo i shqetësuar nga kjo verë?

Duhet gjithmonë të synosh objektivat më të larta, sepse vetëm përmes motivimit rritet puna. Kampionati është një udhëtim, duhet të ecësh gjithmonë me të njëjtën shpejtësi. Do të ketë momente të bukura, shpresoj shumë, edhe momente të vështira, që duhet të menaxhohen. Ekuilibri duhet të mbizotërojë brenda Milanit. Qëllimi është të rikthehemi në Champions, pa vendosur limite.

-Si duhet të jetë Milan?

Duhet të jetë skuadër e bashkuar dhe ekuilibruar. Duhet respekt për të gjithë kundërshtarët, suksesi arrihet në fushë. Nuk kam udhëzime të veçanta, por gjëra normale të futbollit, kur ke topin duhet të shënosh gola, kur nuk e ke duhet të dish të mbrosh. Diferenca e golave është ajo që ka rëndësi.

-Cilët sheh favoritë për titullin?

Janë tetë skuadra që mund të spikasin. Zakonisht favoriti është ai që ka fituar kampionatin e kaluar, pastaj Interi, Roma, Fiorentina, Juventusi, Lazio. Jemi edhe ne. Duhet të jemi shumë të aftë në punën e përditshme, duke ruajtur ekuilibrin. Pastaj nuk është çështje e mbrojtjes me tre apo katër, por e karakteristikave të lojtarëve. Pra, mund të luash në mënyra të ndryshme.

-Si e sheh situatën e blerjeve?

Klubi ka bërë një punë të mirë në merkato, si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Kanë ardhur lojtarë të rinj, me perspektivë të madhe dhe cilësi. Kemi një përbashkësi të qëllimeve për skuadrën. Klubi është i vëmendshëm dhe vigjilent. Mungojnë ende dhjetë ditë nga mbyllja e merkatos, por më e rëndësishmja sot është ndeshja hapëse e kampionatit. Jam shumë i kënaqur me të gjithë djemtë që kam në dispozicion.

-Skema?

Kjo do varet nga lojtarët që kam. Nuk është çështje mbrojtjeje me tre ose katër lojtarë, është çështje karakteristikash të lojtarëve.

-Santiago Gimenez dhe gjendja e tij fizike?

Jam shumë i lumtur me mënyrën se si po performon, shpresoj se do të mund të qëndrojë fizikisht për të gjithë ndeshjen nesër", tha Massimiliano Allegri.

Të shtunën gjithçka nis në orën 18:30 me Genoa - Lecce dhe Sassuolo - Napoli, për të vijuar në 20:45 me Milan - Cremonese dhe Roma - Bologna.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?