Milano Fashion Week

Milano Fashion Week përtej shkëlqimit dhe modës

22 Shtator 2023, 16:06| Përditesimi: 22 Shtator 2023, 16:18

  • Share

Këto ditë është Milano Fashion Week dhe për një nga kryeqytetet botërore të modës është një javë e rëndësishme. Qyteti mbushet me blogger-a nga e gjithë bota dhe fotomodelët dhe personeli i shtëpive të modës, vrapojnë nga një “location” siç i quajnë ato, në tjetrën, pa frymë, pa parë e pa folur me njeri, të ngarkuar me çanta kurrizi të rënda. Kur je në qytet, kur nuk vrapon bashkë me gjithë industrinë e këtyre aktiviteteve, nëse ndalon dhe vëzhgon se çfarë po ndodh, nëse ke “luksin” e kohës, mund të shohësh gjëra që të tjerët nuk i shikojnë.

Për shembull, sheh djem e vajza me trupa skelektrikë; diametri i një kofshe, sa i krahut të një të rrituri. Janë pamje shumë të forta, që i kemi parë në dokumentarë me popullsinë e kequshqyer, apo me djem dhe vajza me probleme të theksuara të bulimisë apo të anoreksisë.

Gra, vajza, dhe djem që shpenzojnë aq shumë në një dyqan të një firme gjatë një viti, sa të arrijnë të marrin një ftesë për një sfilatë. Disa prej tyre futen në borxhe të thella për të bërë blerjet dhe për të siguruar ftesën si “superkonsumator” nga një prej firmave në javën e modës, vetëm për të bërë pastaj një foto në Instagram e për t’u mburrur: Unë isha në këtë sfilatë. Sa blerje të shtrenjta kushton marrja e një ftese!

Bloggerë e bloggere të shndërruar në “zombie” nëpër qytet. Ata nuk lënë rrugë, ndërtesë, vend, në mes të trafikut, apo ndërsa po hanë, apo po pinë një kafe, pa shkrepur foto. Më të “famshmit” kanë shpesh dhe një mini-staff të vogël që i ndjek, ndërsa të tjerët ja bëjnë foton vetes.

Të gjithë shohim Chiara Ferragnin, por asnjë nga ne nuk mund as të imagjinojë sakrificat që një nënë me dy fëmijë duhet të bëjë mbi veten e saj, mbi trupin e saj, për të qëndruar edhe ajo e pëlqyeshme, e dobët dhe trendi.  Nuk ka dietë njerëzore që mund të imagjinohet për trupat që pretendon dhe reklamon industria e modës. Edhe pse herë pas here tregohet “demokratike”, të gjithë e pohojnë se “kockë e lëkurë”, masa famëkeqe 38, është manekini më i pëlqyeshëm për veshjet, çantat dhe këpucët firmato. Herë pas here, shtëpitë e modës, sa për të kënaqur edhe ato “më topolaket”, fusin në radhët e sfilatave ndonjë përfaqësuese të botës së “normalëve”. Një përmasë 38, në sakrifica fizike dhe mendore, nuk ndryshon shumë nga shqetësimet e trupave qindra kilogramësh. Chiara dhe të tjera vajza si ajo vuajnë për ne, që ne më pas t'i pëlqejmë. T'u vendosim një like dhe reklamat që shtëpitë e modës u japin këtyre bloggerave varen se sa shumë ne i pëlqejmë. Algoritmet tregojnë se ne i pëlqejmë të jenë sa më të dobëta dhe ato dobësohen.

Mbreti i botës së modës, Giorgio Armani, në një intervistë të para pak kohëve, pat treguar se do të distancohej nga ky ritëm i pashëndetshëm, frenetik, por edhe ai nuk i shpëton dot torturës stinore të sfilatave, madje përkundër asaj që pat deklaruar më parë, së fundmi tha se as ka ndërmend të dorëzohet.  

Dikush mund të thotë që ja vlejnë këto sakrifica ekstreme, pasi janë si temine, diamantë e florinj të shkëlqyeshëm që ua marrin fillimisht mendjet dhe pas tyre dhe xhepat milionave nëpër botë, duke e bërë këtë industri ndër më fitimprurëset. Për të pasur një çantë si ajo në foton e motrave Kardashian, apo të aktoreve të Hollivudit që ofrojnë lukun e tyre për firmat në sfilata, duket se shumë janë të gatshëm të bëjnë sakrifica financiare. Por, për fat ka edhe si këto dy vajza të reja në një dyqan optike që, kur shitësi u thotë për të blerë syzet e fundit që ka reklamuar Chiara Ferragni, përgjigjen: Jo, vetëm ato jo! Dhe kthehen nga ana tjetër, për të marrë syzet që iu shkojnë atyre, jo Chiarës!

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?