Evis Cerga

Milano ose rreth Evropës për dy ditë

28 Maj 2019, 11:36| Përditesimi: 28 Maj 2019, 11:54

  • Share

Për njerëz si puna ime një udhëtim i ngjan atij librit me titull “Rreth botës për 80 ditë“. Ndërsa unë i bie Evropës rrotull për dy ditë. Po të shpjegohem kjo do t’ju duket e mundur edhe juve. Kam vite që nuk udhëtoj me avion. Fobia nga fluturimi më detyron të udhëtoj me makinë, ndaj për të mbërritur në një qytet evropian si Milano me duhen dy ditë dhe shumë orë udhëtimi. Rruga në Tirana deri në Opatija, skaji më i fundit i Kroacisë dhe kufiri më i afërt me Slloveninë i kalon dhjetë orët. Tashmë unë jam personazh i njohur për kafenenë e parë pasi lë pas kufirin që ndan Shqipërinë nga Mali i Zi. Ata më presin gjithëmonë buzagaz dhe nuk u ka shkuar ndër mend të më pyesin se ku shkoj. Me siguri mendojnë që udhëtoj për në Budva apo Tivat.

Qëllimi i këtij reportazhi është tjetër. Italia. Sapo hyj në kufirin pa doganë ku shkruhet “Benvenuti in Italia”, kënaqësia e parë më vjen nga Radio Italia (solo musica italiana). Radioja më ka dhënë gjithëmonë shumë kënaqësi. Që nga koha kur dëgjoja “Radiodramatizimet në mikrofon”. Apo HitParade-in. Me veshin ngjitur tek radioja. Nga radioja vjen zëri i Eros Ramazzotti me këngën e tij “Siamo” (natti per essere non per aparire)

Dhe më vjen një mend një këngë e një tjetër këngëtari Italian, Antonello Venditti-t, me titull “Notte prima degli esami” dhe më kujtohen provimet e mia të Maturës. Sa vite kanë kaluar dhe ende ndjehem sikur do të jap ndonjë provim. Në fakt e gjithë jeta na vë përpara sprovave që na bëjnë të na duket sikur një të tillë do ta japim shpesh.

Por jeta do parë si udhëtim. Ndaj nëpër autostradadën që të con drejt Milanos mundohem të mbaj shënim dicka që më vonë ta bëjë pjesë të rreshtave të mi të thjeshtë.

Dhe nga valët e radios një tjetër kënëgëtar këndon: Të përqafuar si dy pemë të lagura nga shiu

Kur futesh në qytetin e Milanos nuk ndesh aspak ato që ke dëgjuar nga të tjerët. Modë, pazare, turistë. Rrugë hijerënda. Me pemë edhe më hijerënda. Me emra luftëtarësh. Arkitektësh. Juristësh. Triumfatorësh. Dhe nëse je me makinë në rrugë duhet të bësh kujdes se mos humb rrugën. Ndaloj në hotelin e destinacionit dhe GPS-i “thotë“: You have reached your destination. Më vjen t’i përgjigjem, po, destinacionin e rradhës.

Nga Milano njoh vetëm Duomo-n. Sheshin e famshëm me katedralen më turistike të Evropës mbushur me turistë që duket sikur varen nga të gjitha cepat dhe të kujtojne ato kalatë që bënim dikur në rërë në breg të detit, të cilave mund tu jepje cfarëdo forme të doje, por që gjithësesi herët a vonë i merrte deti. Edhe turistët hipin e zbresin. Për ndërtimin e kësaj katedraleje u deshën thuaj gjashtë shekuj. Gjashtë shekuj. Puna për ndërtimin e saj nisi në vitin 1386. Nga lart këta turistë u ngjajnë milingonave që lëvizin në kërkim të melit.

Dhe Galerinë që mban emrin e Viktor Emanuelit. Ajo është qendra më e vjetër tregtare e Italisë, e hapur në vitin 1877 gjendet midis katedrales së Duomos dhe La Scala-s. Në këtë qendër tregtare turistët rrotullohen rreth koqeve të një demi me shpresë për fat e ugur të mirë. Kaq fortë e kanë fërkuar të shkretin dem saqë tashmë në vend të organeve gjenitale gjendet një vrimë. Gjithësesi demi do kapur për brirësh, thonë.

Një aperol spritz është domosdoshmëri nëse kërkon të shijosh pak nga vita bella. Njësoj si të shkosh në Stamboll e të pish një dhallë, për ata që e kanë më të lehtë me këtë krahasim. Pasticeria më e famshme

e Galerisë është Marchesi e hapur në vitin 1824. Ndërsa për një darkë elegante patjetër duhet të kalosh nga bistroja e shefit të kuzhinës me dy Michelin, Carlo Cracco. E ndonëse Italia nuk kuptohet pa il Vino, pasta al dente dhe risotto Milanese që të biesh nga pesha duhet të jetosh pikërisht në këtë qytet ku duhen tre milanezë që të bëjnë një sa unë.

Në Milano gjendet edhe dyqani i famshëm i kapelava borsalino. Në fakt vetëm pasi vizitova Milanon dhe Romën kuptova që Borsalino ishte emri i krijuesit të kapelës. Aq e famshme u bë kjo kapele sa të gjitha kapelet e atij lloji u quajtën me një emër përgjithësues, borsalino. Më kujtohet im gjysh kur dilte shëtitje liqenit me borsalino. “Ku e kam borsalinon?” “Sot do të vë borsalinon e zezë“. Duhet të vija në Itali për ta parë nga afër “borsalinon”.

Një ndër restorantët më të famshëm të Milanos është ai që mban emrin e themeluesit të tij “Giacomo”. Ja si e përshkruan ai me fjalët e tij Giacomo Bulleri jetën në fshatin Italian në vitet 30-të.

“Ne nuk pinim shumë ujë. Im atë thoshte: Me ujë unë laj koqet. Më duhet ta pranoj që kjo shprehje e jep idenë e përgjithshme. Madje e jep aq mirë, saqë unë nisa ta përdor si timen. Gjatë ditës na duhej dicka që të na ngrohte e të na jepte energjinë e duhur, ndërsa mbrëmjeve na duhej dicka që të na hiqte lodhjen dhe të na karikonte për të nesërmen. E cfarë më mirë se vera mund ta bënte një gjë të tillë.”

Një shfaqje në teatrin Gerolamo, themeluar si teatër kukullash në vitin 1868. Teatri është hapur vetëm në vitin 2017 pas 33 vjetësh rikonstruksion dhe restaurime. I gjithi në dru. Protagonist i shfaqjes një estet dhe poet flet për format dhe muzikën. Shfaqja titullohet “The sound of silence”. Ndër të tjera ai tregon një histori interesante për lidhjen e piktorit të famshmëm rus Vasili Kandinsky me piktoren gjermane Gabriele Munter. Në shtëpinë ku ata kishin jetuar dhe që më pas ishte kthyer në muze, naratori kishte takuar një grua të moshuar që i kishte njohur të dy kur kishte qenë fëmijë. “E pyeta cfarë mbante mend prej tyre dhe ajo më tha: Ata grindeshin shpesh. Më pas vrava mendjen përse grindeshin dhe e kuptova vetëm në punët e tyre”. Ajo shihte hënën, ndërsa ai shihte rrathë. Ajo shihte male, ai shihte trekëndësha. Ajo shihte natyrë, ai shihte forma. Ata grindeshin sepse kishin këndvështrime të ndryshme.

Sigurisht. Dhe të shkruash për një qytet Italian e aq më tepër për një kryeqendër nuk është punë e lehtë, por të udhëtosh në Milano për punë apo për qejf është gjithëmonë punë qejfi. Travelling to Milan for business or pleasure is always a pleasure business.

Dhe më kujtohet kënga “La vita e una Ferrari” dhe kënga Gloria. Si emisioni “Nga kënga në këngë“. Sepse Italia është si tekst i një kënge. Aty edhe kamariertë duket sikur bëjnë dashuri me ty dhe të kujtohet që gjimonazin e ke mbaruar, por mund të kesh ndonjë provim për vjeshtë.

Dhe më kujtohen studentët e arkitekturës që vizatonin “Shtëpinë e kuqe” përballë shtëpisë sime të fëmijërisë. Këtë shtëpi tani e ka zënë ndërtimi modern post-komunist. As nëpër mend nuk e sjell dot mirë. Madje as studentët nuk i sjell dot mirë ndër mend. Për hir të së vërtetës nuk i sjell fare ndër mend. Di vetëm që më bënin të ndjehesha e dashuruar. Me jetën. Me jetën si një udhëtim.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?