Mungonte prej 11 vitesh dhe nuk kishte si mos të ndizte Milanon edhe pse titulli i fituar në hapin e fundit kishte për rival Interin, ish-kampionen në fuqi dhe pjesë e po këtij qyteti. Ftesta e Milanit do vijojë edhe sot pavarësisht se të dielën nuk pushoi asnjëherë. Pas gëzimit në stadiumin e Sassuolo-s ku Milan fitoi 0-3 festa u zhvendos në ‘Casa Milan’ ku ishin rreth 40 mijë tifozë. Nuk munguan as pjestarët e ekipit me trajnerin Pioli dhe Ibrahimovic, i cili mbajti edhe një fjalim. Ibra u shpreh se ‘Milan nuk është Milano, por Milan është gjithë Italia’. Sulmuesi 40-vjeçar titullin kampion ia dedikoi agjentit Mino Raiola, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë, ndërsa sqaroi se shumë shpejt do vendosë nëse do vijojë më të jetë pjesë e futbollit të luajtur apo jo.
Gjatë festës ndodhi edhe diçka e veçantë. Trajnerit Pioli iu vodh medalja e kampionit dhe bëri thirrje që t’ia kthenin pasi ishte e vetmja që kishte, duke qenë se ky është titulli i parë në karrierë. Për të mos i prishur festën trajnerit mendoi Liga e Seria A që sqaroi se për Piolin do ketë një tjetër medalje.
Sot ndërkohë janë lajmëruar detajet për festën që klubi do zhvillojë në qytet. Në orën 18:00 do jetë parada me autobusin e hapur që nis në shtëpinë e Milani Casa Milan dhe që do vijojë në disa rrugë të qytetit. Pika e fundit e ndalesës do jetë ‘Piazza del Dumo’.
Sakaq te Milan nuk ka vetëm festë, pasi me përfundim e saj do largohet një nga futbollistët më të spikatur të skuadrës. Mesfushori Kessie luajti ndeshjen e fundit, ndërsa sot tifozët do t’i thonë mirupafshim ‘presidentit’, i cili do transferohet te Barcelona.