Milano- Guardia di Finanza dhe Prokuroria e Milanos kanë goditur një rrjet shqipfolës të organizuar të narkotrafikut, me vlera të mëdha deri në 5 milionë euro mall të xhiruar, kryesisht kokainë.
Tetë fletë-arresti janë lëshuar. Pesë prej tyre u ndaluan dhe janë në burg, dy në arrest shtëpiak dhe një nën detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore. Paralelisht po kërkohen informacione dhe investigim edhe në Shqipëri, nga organet ligjzbatuese, për anëtarë të tjerë që kanë dhe një nga bazat e grupit vendin tonë.
Autoritetet italiane thanë se të dyshuarit janë pjesë e një shoqate me bazë shqiptare aktive në Korsiko (Milano) dhe Sassuolo (Modena). Kërkimet janë duke u zhvilluar në provincat e Milanos, Pavia, Monza dhe Modena me ndihmën e njësisë së qenve “Cash Dog” dhe Antidrogës.
Veprimtaria hetimore, e koordinuar nga DDA “ka bërë të mundur identifikimin e një rrjeti të organizuar kriminal që vepron midis Shqipërisë dhe Italisë, i cili, duke përdorur pajisje të sofistikuara të enkriptuara të mesazheve (mundësisht SKY ECC) dhe duke shfrytëzuar kontaktet e drejtpërdrejta me celulat dhe bazat shqiptare, ka transportuar vetëm në gjashtë muaj, vëllime lënde narkotike mbi 5 milionë euro”, thanë autoritetet e vendit fqinj për mediat.
Hetimet zbuluan lidhje mes të dyshuarve dhe organizatave të tjera kriminale me origjinë shqiptare, me degë në Belgjikë, Holandë dhe Amerikën e Jugut, të afta për të importuar sasi të konsiderueshme kokaine, për t'u shpërndarë në provincën e Milanos dhe Modenës, dhe më pas pastrimin e të ardhurave të paligjshme.
Në operacion janë përfshirë edhe oficerë të Europolit dhe DDA të Milanos, përmes Eurojust-it. Këta kanë ndihmuar në zbërthimin dhe transkriptimin e bisedave të shumta - të deshifruara dhe të analizuara me përpikëri - në pajisjet e koduara të gjeneratës së fundit, të përdorura nga të dyshuarit, shkruan "La Sicilia".
Grupi është zbuluar se po përgatiste dërgesa të tjera të konsiderueshme kokaine mes dy vendeve, me vlerë miliona euro. Emrat e të dyshuarve ende nuk janë publikuar, pasi aksioni është në proces e sipër.