Paris SG-Manchester City është sonte superdueli i milionave në Champions League, që në mënyrë paraoksale do të duelojnë për të mbijetuar. Francezët më shumë se anglezët do të duhet të marrin 3 pikët për të pretenduar vijimin e aventurës në këtë kompeticion, pasi rrezikojnë sëriozisht eliminimin në fazën e parë. Ekipi i Luis Enriques ka vetëm 7 pikë pas 6 ndeshjesh, ndërsa City 8. Kjo në një kohë kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje për secilën skuadër.
Po në orën 21:00 në Çeki do të jetë dueli i shqiptarëve në Champions mes Spartës së Qazim Laçit me shokë kundër Interit të Kristjan Asllanit. Zikaltërit, të cilët pritet të zbresin me shqiptarin titullar në fushë, duan fitoren për t’u kualifikuar si 8 më të mirat, por nga ana tjetër Qazim Laçi ka premtuar se do të bëjë gjithçka për të mundur Interin, pasi ai është tifoz me Milanin.
Sa i takon ‘djallit’ të Conceicaos, në San Siro do të presë Gironën, me qëllimin e 3 pikëve. Kjo jo vetëm për të reaguar pas disfatës me Juventusin në Seria A, por sepse Milani e ka një mundësi shumë të mirë për të kapur 8-shen dhe shmangur ‘play-offin’. Aktualisht djalli është në kuotën e 12 pikëve.
Në Bernabeu Reali që ka bërë një sezon zhgënjyes deri më tani në Champions pret Salzburgun. Ancelotti ka rikuperuar Vinicius, ndërsa në këtë përballje nuk tolerohet asgjë tjetër veçse 3 pikëve. Kjo sepse galaktikët kanë vetëm 9 pikë dhe renditen në vendin e 22. Fillimisht duhet të mendojnë për ‘play-offin’, ndërsa në rast fitoreje mund të pretendojnë edhe 8-shen.
Sfidat e tjera të orës 21:00 janë Arsenal-Dinamo Zagreb si dhe Celtic-Young Boys, ndërsa mbrëmja e sotme në Champions League nis në orën 18:45 me përballjet Leipzig-Sporting dhe Shakhtar-Brest.