Emmanuel Macron

Milena Harito: Momenti i presidentit Macron, a ndërroi Franca qasje?

21 Tetor 2023, 18:26| Përditesimi: 21 Tetor 2023, 18:32

  • Share

Presidenti Makron gjatë darkës zyrtare në Tiranë më 16 tetor 2023, propozoi një term të ri, « ri-bashkimin”  e Shqipërisë me familjen europiane,  për të zëvendësuar “procesin burokratik të zgjerimit të BE”, sipas fjalëve të tij. Skenografia shumë e arrirë dhe ngrohtësia e prekshme e atmosferës gjatë darkës janë tashmë tradicionale. Ri-bashkimi është diçka e re, që shkon shumë më larg sesa përkëdhelja e sedrës për të  zotët e shtëpisë. Pas këtij termi ka një qëllimi politik të presidentit Macron, I cili e ka origjinën vite më parë dhe ka rrugëtuar nëpër shtigjet e thepisura  të politikës europiane.

 “Ri-bashkimi” është padyshim një fjalë  shumë më e përshtatshme, më e dashur, më gjithëpërfshirëse, madje edhe më e drejtë në kontekstin e Shqipërië sesa « zgjerimi ». Në fillim ishte fjala, na mësojnë librat e shenjtë.

“Procesi I zgjerim-integrimit” nga forma e nga përmbajtja na kërkon  të   përmirësohemi  për tu “bërë të denjë” për « familjen e lartë » europiane. Në këtë mënyrë krijon një ndjesi të vagullt faji, të ngjashme me atë të detyrave të pabëra të shkollës, ndërkohë që po bëje xhiro me shokët.  Ky “proces” ka diçka frigorifike që edhe mund të të ngrijë dëshirën për t’ju afruar asaj familjeje, e cila duket sikur me shumë vështirësi po pranon të zgjerohet për të pranuar  “kushëririn e pagdhendur nga fshati”.

Europa vrojtuar nga ne:  dëshira, vlerat dhe interesi

Si çdo partneritet edhe i famshmi “integrim në familjen europiane” mbështetet fillimisht në dëshirën e partnerëve, më pas në vlerat e përbashkëta dhe pastaj në interesin reciprok. Të treja të domosdoshme.

Dëshira e cila e shtyn Shqipërinë  drejt Europës është në origjinën e Shqipërisë demokratike të pas ’90 që nga sllogani « E duam Shqipërinë si gjithë Europa ». Kjo dëshirë shprehet  në përditshmërinë tonë prej dekadash në shumë forma. Prova më e mirë ?   Asnjë nga partitë të cilat e nuhasin opinionin më mirë se kushdo tjetër, nuk ka ndërtuar një narrativë anti-europiane sepse nuk i bën hajër. Deri tani.

Por dëshira nuk mjafton. Për një partneritet afatgjatë është e nevojshme  të ndash vlera të përbashkëta. Mjafton të hedhim sytë në Azi, në Afrikë, në Lindjen e Mesme për tu kujtuar se pavarësisht ecejakeve të vështira të pas viteve ’90, shumica e shqiptarëve bashkëndajnë  vlerat themelore të Europës.

Të shtypur nga diktatura dëshirojmë fort lirinë  e individit dhe demokracinë. Kina vërtet është e begatë por nuk i ndan këto vlera. 

Jo në cdo vend funksionon  tregu I lirë ekonomik, në Shqipëri përgjithësisht po,  me gjithë hallet e  një shteti që do forcuar dhe të një tregu që do zgjeruar.

 Jo në cdo vend shoqëria është mjaftueshëm e emancipuar për të respektuar të drejtat e  cdo individi, lirinë e besimit, të drejtat e barabarta të grave apo të  minoriteteve. Në Shqipëri përgjithësisht po ;  mjafton të kthejmë kokën drejt Lindjes së  Mesme me intolerancën fetare dhe dhunën ndaj minoritetetve e të drejtat e munguara të grave,  për tu kujtuar se  bindjet tona janë  thelbësisht pranë vlerave evropiane, edhe kur zbatimi I tyre nuk është perfekt.

Gjithashtu drejtësia sociale  është e pranishme në vlerat e shoqërisë tonë  për arsye historike e kulturore, edhe për shkak të barazitizmit të tepruar të periudhës komuniste. E drejta  për arsim e shëndetësi e garantuar për gjithkënd nga kontributet dhe taksat është një e drejtë që pranohet nga të gjithë, ndonëse aplikimi praktik ka sigurisht sfida të mëdha. Ka plot vende të planetit, përfshi edhe SHBA, ku kjo vlerë nuk ka konsensus të gjerë shoqëror.

Europa dhe vetëm Europa  është sot hapësira ku këto vlera  ekuilibrohen gjerësisht më mirë se në cdo vend tjetër të planetit.  Kjo dëshirë e këto vlera e bëjnë Shqipërinë europiane sot;  pa to I stërzgjaturi “proces I zgjerimit” do të ishte I pamundur.

Por për partneritet afatgjatë nevojitet edhe konvergjencë interesash. Interesi ynë është I qartë : së pari ekonomik – akses në tregun e pasur evropian për të pasuruar shqipëtarët ; së dyti  aplikimi konkret i vlerave të mësipërme të cilat përkthehen në një kuadër ligjor konform BE dhe në zbatimin e atij kuadri ligjor, i ashtuquajturi  sundimi i ligjit.

Përpjekja e gjatë e presidentit Macron për  ri-themelimin e BE

Ri-bashkimi është një term i ri, i mirëgjetur i presidentit Macron.  Por po të mbeteshim këtu, ndonëse fjala na pëlqen,  ndoshta do të ishte ende pak.

Në të vërtetë termi i ka rrënjët më thellë, tek ngjizja politiko-filizofike pro-europiane e  presidentit Macron nga filozofi Paul Ricoeur dhe komuniteti I Emmanuel Mounier I cili  I dha jetë revistës “Esprit”, revistë e cila ende sot është fabrikë e ideve për të çuar përpara Europën e bashkuar. Presidenti Macron është  që në origjinë thellësisht dhe qënësisht pro-europian.  Në rrugëtimin e tij atipik politik,  ai e vendosi  Europën në qendër  të programit elektoral të  fushatës presidenciale të vitit 2017, duke pranuar edhe riskun politik që sillte kjo çështje e cila nuk është konsensuale për opinionin public francez, madje shfrytëzohet vazhdimisht anga partitë populiste për të manipuluar elektoratin e për të goditur Bashkimin European.

Pas fitores në 2017,  angazhimi pro-europian i Presidentit Macron vijoi me  fjalimin referencial që njihet edhe si fjalimi I Sorbonës,  për rithemelimin e Europës. Reformat e mëdha europiane  të propozuara nga presidenti Macron në nëntor 2017 gjejnë gradualisht rrugën e tyre : Europë sovrane dhe më e fortë ; e bashkuar dhe demokratike ; hapja dhe aleanca me vendet e Mesdheut ; qëndrime gjeostrategjike të përbashkëta ; domosdoshmëria e përforcimit të  mbrojtjes europiane. Kjo e fundit ishte përsëri temë e intervistës së tij në nëntor 2019 për  të përjavshmen “The Economist” mbi NATO-n të cilësuar atëhere  në gjendje “vdekjeje cerebrale” dhe “Europën në buzë të humnerës”.

Konteksti gjeopolitik në vijim i dha vazhdimisht të drejtë presidentit Macron mbi nevojën e reformimit të Europës. Fillimisht tensionet SHBA-Kinë me zhvendosjen e vëmendjes së aleatit të madh drejt Paqësorit, me tensionet mbi sovranitetin ekonomik dhe teknologjik të Europës. Europa po vepron që të mbetet sovrane në garën e teknologjisë 5G e cila është e domosdoshme për të  gjithë industritë e tjera, si edhe në garën e chipseteve të domosdoshëm për smartfonët e gjithsecilit. Më pas COVID-i nxori zbuluar keqas mungesën e autonomisë europiane për gjëra edhe më të thjeshta si  prodhimi I maskave mbrojtëse apo I paracetamolit. Vijuan kriza migratore,  lufta në Ukrainë, kriza energjitike dhe tensioni në Lindjen e Mesme. Ndërkohë Banka Qendrore Europiane gjithashtu u reformua për të menaxhuar krizat financiare, sidomos nën drejtimin e Mario Draghit me inovacionin e “quantitative easing”.

Bashkimi European vijon reformat e në këtë këndvështrim  Franca e drejtuar nga presidenti Macron nuk ka ndryshuar qasje. Reformat strukturore të BE janë filli ndërlidhës i përpjekjeve gjatë dy mandateve të tij.

Po Shqipëria ç’hyn këtu ?  Raporti “Të lundrojmë në det të hapur” dhe situata win-win

Në politikë, si edhe në jetë, gjërat lëvizin më shpejt kur puqen interesat e të gjitha palëve.

Shqiptarët dëshirojnë të afrohen me BE, tregun e saj të madh, të pasur e të fuqishëm, dëshirojnë edhe lirinë e garantuar nga sundimi i ligjit.  Europa nga ana e saj ka nevojë të garantojë sigurinë në hapësirën e kontinentit, të forcohet, të lëvizi më shpejt, të jetë më fleksibël.

Pikërisht rëndësia strategjike e ribashkim-zgjerimit me vendet e kontinentit, është ajo që mund të nxisë vendet anëtare të pranojnë reformat institucionale të domosdoshme e të vonuara, të cilat janë  të vështira për tu realizuar në status-quo. Familja bën përpjekjet e nevojshme për tu përshtatur kur vijnë anëtarë të rinj, krushqi a fëmijë. Edhe BE po ashtu.

Raporti I fundit I porositur nga dy ministrat e Europës, të Francës e Gjermanisë dhe publikuar në 19 shtator 2023 : Të lundrojmë në det të hapur” hap opsionet për një reformë të domosdoshme të  BE e cila mundëson edhe zgjerimin e familjes. rapport_fr-de_reformes_cle036f48.pdf (diplomatie.gouv.fr)

Në raportin franko-gjerman zgjerim-ribashkimi konsiderohet  pjesë e 3 objektivave strategjikë të BE :

·        Garantimi i  sundimi të ligjit dhe legjitimitetit demokratik si gurë themeli  të panegociueshëm dhe të palëkundshëm të Bashkimit Europian.

·        Adaptimi institucional  për të bërë BE të aftë të veprojë më shpejt, me më shumë efikasitet.  

·        Adaptimi institucional për të pritur anëtarë të rinj të cilët marrin pjesë sipas mundësive e takatit të secilit.

BE funksionon tashmë me një gjeometri variabël : disa vende janë në zonën euro, disa në zonën Schengen e disa jo. Raporti franko- gjerman propozon shtrirjen e këtij organizimi fleksibël në 4 rrathë koncentrikë:

·        Rrethi i parë : zona euro / Schengen ;

·        Rrethi i dytë :  anëtarët e BE ;

·        Rrethi i tretë : anëtarët e asociuar me akses në tregun e përbashkët, akses i cili kushtëzohet me parimet e Kopenhagenit e sundimin e ligjit ;

·        Rrethi i katërt : Komuniteti Politik European, KPE, ku vlerat e parimet e BE nuk janë të detyrueshme;  bashkëpunimi shtrihet për disa prej vendeve në traktate bashkëpunimi ekonomik,  për të tjerë në pozicionet gjeopolitike, siguri, energji, mjedis, por ama pa patur akses në tregun e përbashkët. Rrethi I katërt, i iniciuar po nga presidenti Makron në 2022 pérfshin jo vetëm vendet anëtare dhe kandidate në BE, por edhe vendet e tjera të kontinenntit nga Norvegjia, Anglia, Zvicra deri tek Turqia, Gjeorgjia,  Armenia e Azerbaixhani.

Qasja e presidentit Macron për ri-themelimin e Europës nuk ka ndyshur ndërsa konteksti po.  Konteksti është në favorin e Shqipërisë. Por kjo nuk dihet se sa zgjat. Mandati  I dytë i Macron është edhe i fundit si president I Francës dhe mbaron në 2027, ndërsa zgjedhjet europiane janë në prag, në 2024. Lokomotiva europiane franko-gjermane do të përpiqet të veprojë tani. Nëse bien dakort mes tyre. Më tej horizonti I Francës është ca I errësuar për momentin dhe një inerci e madhe europiane mund të pasojë.

Shqipëria ka ratifikuar me shtetet anëtare të BE Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që prej vitit 2009 dhe  çeljen e negociatave për anëtarësim në 2022. Shqipëria duhet të përfitojë nga momenti Macron tani, për të synuar sa më shpejt  minimalisht rrethin e tretë dhe më pas të dytin e të parin. Këta tre rrathë konvergjojnë me interesin e Shqipërisë për akses në tregun evropian. Rrethi i katërt i pagëzuar Komuniteti politik Europian nuk mundëson aksesin në  tregun e përbashkët dhe nuk përkon me synimet e përpjekjet tona prej pothuaj 20 vitesh.

Ky është momenti për të shpresuar por edhe për të vepruar sa më shpejt.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?