Mladen Milinkovic para medieve në Tiranë

Sport

Milinkovic para sfidës me AF Elbasanin: Nuk jemi ende në 70 përqind të formës, besoj te progresi

20 Shtator, 12:02| Përditesimi: 20 Shtator, 12:04

  • Share

Trajneri i Partizanit, Mladen Milinkovic, ka folur në konferencë për shtyp përpara ndeshjes me AF Elbasanin, e vlefshme për javën e katërt të Superligës, që do të luhet sot në “Arena e Demave” në orën 19:00.

Tekniku i të kuqve e sheh këtë sfidë si një mundësi për të reaguar pas humbjes ndaj Vllaznisë.

“Jemi përgatitur si për çdo ndeshje tjetër. Elbasani vjen pas një fitoreje ndaj Dinamos, ndërsa ne pas një humbjeje. Por futbolli të jep gjithmonë mundësinë ta harrosh ndeshjen e kaluar. Nëse fitojmë, askush nuk do të flasë më për atë që ndodhi me Vllazninë", tha ai fillimisht.

Sa i përket gjendjes së skuadrës, Milinkovic pranoi se ekipi është ende në ndërtim.

"Për shkak të ardhjes së lojtarëve të rinj dhe ndryshimit të stilit të lojës, nuk jemi akoma në 70% të potencialit tonë. Në stërvitje ka momente shumë të mira dhe momente që nuk na kënaqin, por jam optimist për të ardhmen. Progresi do të vijë javë pas jave", tregoi ai.

Tekniku u ndal edhe te mesfushori Arafat Doumbia, i dëmtuar së fundmi.

“Është lojtar shumë cilësor, teknik dhe i disiplinuar. I duhet kohë të përshtatet me futbollin shqiptar, por jam i bindur se do të ndihmojë shumë Partizanin dhe në të ardhmen mund të transferohet në një klub më të madh”, vijoi Milinkovic.

Për Rouan Human, Milinkovic tregoi kujdes të veçantë.

“Nuk dua të përsërisim të njëjtin gabim si me Arafatin. Ai ka potencial, por duhet të jetë 100% gati për të luajtur. Koha do të tregojë vlerat e tij”, tha trajneri.

Trajneri i kuq e mbylli fjalën e tij duke i besuar grupit.

“Detajet bëjnë diferencën, por kam besim se lojtarët e mi do të japin maksimumin kundër Elbasanit”, mbylli bisedën për mediet trajneri i Partizanit.

Me katër pikë pas tre javësh, Partizani mbetet në vendin e katërt, ndërsa AF Elbasani me shtatë pikë ndodhet në vendin e parë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?