TIRANË - Partizani ka zyrtarizuar trajnerin e ri, Mladen Milinkovic, i cili u prezantuar të mërkurën përpara medieve. Tekniku serbo-boshnjak rikthehet në Shqipëri pas 8 vitesh, i bindur se ka marrë drejtimin e klubit më të madh në vend dhe se do të luftojë për titullin kampion. Më herët ai ka drejtuar Luftëtarin në Gjirokastër dhe Kukësin.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Partizanit. Falënderoj presidentin dhe drejtorin për besimin. Kam ardhur te klubi më i madh në Shqipëri dhe objektivi ynë është i qartë, titulli kampion”, u shpreh Milinkovic në prezantimin zyrtar.
Trajneri 56-vjeçar vjen pas një eksperience të suksesshme në Malin e Zi, ku ka fituar dy tituj kampion dhe një Kupë, si dhe ka lënë gjurmë në arenën evropiane me Buducnost.
I pyetur në lidhje me kohën e kufizuar për të përgatitur skuadrën, Milinkovic pranoi se çdo trajner ka nevojë për kohë, por shpreson ta përdorë në mënyrë efikase ndërprerjen e kampionatit pas dy javëve të para.
“Pas dy ndeshjeve do të kemi një pauzë prej dy javësh për shkak të impenjimeve të Kombëtares. Aty do të përpiqem të vendos idetë e mia”, tha ai.
Ai foli edhe për lëvizjet në merkato dhe ka një mesazh për tifozët. Trajneri nuk përjashtoi afrime të reja, por theksoi se fillimisht dëshiron të njohë më mirë grupin aktual.
“Lojtarët që janë këtu kanë cilësi. Do të punoj me ta dhe më pas do të shohim me drejtorin nëse ka nevojë për përforcime. Nuk premtoj gjëra të mëdha me fjalë. Premtoj vetëm që do të ndërtoj një ekip që do të luftojë çdo ndeshje për Partizanin dhe që do të japë gjithçka për tri pikët”, tha Milinkovic mes të tjerash.
Milinkovic njihet për aftësinë për të promovuar talente të reja dhe beson se edhe te Partizani do të ketë mundësi të përsërisë të njëjtën gjë, ashtu siç bëri me emra të njohur si Bregu, Abazaj, Rroca dhe Aleksi gjatë kohës te Luftëtari.
Komente
