Gjendja e rrugës së "Telit" që lidh një pjesë të zonës së Fushë-Milotit në Kurbin me autostradën Milot-Thumanë është në gjendje të keqe. Segmenti me gjatës 1.5 km ka degraduar plotësisht, duke u bërë thuajse i pakalueshëm për shkak të gropave që në kohë me shi mbulohen nga uji dhe balta.
Mungesa e infrastrukturës ngriti në protestë banorët, të cilët thonë se pavarësisht ankesave të vazhdueshme, në këtë zonë nuk është investuar asnjëherë dhe kjo situatë ua ka vështirësuar jetesën. Premtimet për rehabilitimin e rrugës nuk kanë munguar për çdo fushatë elektorale gjatë dekadës së fundit, por vetëm janë mashtruar tregojnë banorët.
“Vetëm kemi investuar ne se askush nuk ka vënë dorë në të. Vijnë edhe na gënjejnë për punë votash, gjithmonë kështu ka qenë. Mbyllim ndonjë gropë vetë, thonë do e bëjmë por nuk bëjnë asgjë. Na kanë mashtruar, nuk kanë fytyrë me ardhur dhe kërkuar vota. Kur është baltë nuk kalohet”, u shpreh një banor.
“Ndihemi të izoluar, të lënë pas dore. Jemi 1 km larg nga autostrada. Rreth 1 mijë banorë që kalojnë në rrugë kalldrëmi. Kalamajt rriten sui në mesjetë, me kanale dhe përronj. Thua se jemi në Afrikë. Mos u afroni fare për vota, nuk ia japim votën asnjërit. Do të rrimë pa votuar. Duhet investim në rrugë. Është turp të flasim në 2025 për rrugë, apo të flasim si Rama do të çojmë ujë gjithë Sarandës. Këto janë gjërat minimale që mund të bëjë, rrugë dhe ujë. Jemi ankuar disa herë. Dhe asnjë lloj mase nuk është marrë. Bashkia e Kurbinit ka falimentuar, duhet të japë dorëheqjen në mënyrë urgjente kryetarja.”, shtoi një banor tjetër.
“E kemi problem prej shumë vitesh. Kjo rrugë mbi 100-vjeçare, nuk është rrugë e re. Kemi investuar vetë si familje. Na kanë premtuar, ua kemi dhënë votat para 4 vitesh. E keni të shtruar se nuk lejohet me e shtruar para votimeve por do t’ua shtrojmë. Ua kemi dhënë votat, kemi shkuar te Majlinda Cara, kemi bërë kërkesa dhe thonë s’kemi fund. Ne nuk kërkojmë as ujë, as drita, bukë, përveç rrugës.”, tha një tjetër.
Rruga e "Telit" në Fushë-Milot iu shërben rreth 1 mijë banorëve të kësaj zone dhe as me buxhetin e këtij viti Bashkia e Kurbinit, nuk ka planifikuar investime në këtë zonë.
Komente
