Milto Kutali

Milto Kutali: Aktorëve të rinj u mungon shkolla e skenës

17 Maj 2018, 07:34| Përditesimi: 17 Maj 2018, 09:13

  • Share

Aktoren e re Dajana Nenaj, ende  pa dalë nga auditorët e shkollës, regjisori i njohur Milto Kutali e ka veshur me petkun e personazhit Suzi, një personazh i mbarsur me një metaforë të thellë të karaktereve sociale në premierën “Trashëgimtari”. Është gruaja e martuar me politikanin e famshëm shqiptar. “Një grua postmoderne, e cila vjen me mesazhe shumë të forta”. Kështu shprehet aktorja e re Nenaj, e cila pasi ka përjetuar sfidat e skenës falënderon regjisorin Kutali. Regjisori që ka ngjitur në skenë aktorë të mëdhenj  të skenës punon me të njëjtin seriozitet me studentët e rinj, të cilët promovojnë veten përballë publikut.

Ndërsa takohemi para premierës, Milto Kutali duket sikur pret pyetjen e duhur për të shprehur shqetësimin e tij për formimin e aktorëve të rinj që dalin nga auditorët e shkollës.

 “Ata duhet të bëjnë domosdoshmërisht shkollën e skenës, vetëm kështu do të hyjnë në rrugën e aktrimit” , thotë regjisori Kutali për “Shqiptarja.com”.  Premiera “Trashëgimtarit” me regji të Milto Kutalit ka nisur shfaqjen që prej së martës në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Me para” mund të blesh gjithçka, por jo të ardhmen dhe moralin, apo të shpëtosh nga ndërgjegjja. Ky është mesazhi i një historie rëndom shqiptare që ka në qendër komedia groteske me autor Arben Iliazin.  Regjisori Milto Kutali shprehet se “kjo vepër më bën që të jem edhe unë pjesë e gjeneratës së re, falë penës së Arben Iliazit dhe falë përkushtimit tonë. Unë mendoj se do të ketë rrugëtim të gjatë, pasi është një performancë shumë e këndshme, atraktive dhe me vlera të qenësishme edukuese”. Në këtë shfaqje luajnë aktorët e rinj Dajana Nenaj, Donald Shehu edhe Xhuliano Brisku.

Intervista

Meqë në këtë pjesë teatrale ka aktorë shumë të rinj, cila mendon se është e ardhmja e brezit që do të dalë nga bankat e shkollës së aktrimit, çfarë shpresoni?

-Sigurisht mua më vjen mirë që e nisëm kështu bisedën për të  mos thënë se unë jam shumë i preokupuar, madje shumë i shqetësuar pikërisht për këta djem e vajza që me shumë dëshirë të mirë i presim në auditorët e Universitetit të Arteve dhe investojmë goxha kohë prej pesë vitesh për formimin e tyre artistik, por është detyrë e tyre e ne të gjithëve që të mos mbetemi në këtë kuadër që t’i mbajmë brenda auditorëve dhe nesër, pasnesër t’i lëshojmë pa u interesuar se çfarë do të ndodhë me ta. Pa fshehur modestinë, unë do të doja t’u thosha se në breza të tillë duke dhënë një grup lëndësh jam përpjekur që ata të kuptojnë se shkolla e vërtetë, formimi i tyre profesional vjen nëpërmjet institucioneve direkte që prodhojnë dhe realizojnë vepra skenike. Në këtë mënyrë unë do të thosha që është me vlerë bashkëpunimi i Universitetit të Arteve me Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Mund të kujtojnë se pjesa e këtij kasti artistik, edhe Dajana Nenaj, edhe Donald Shehu edhe Xhuliano Brisku të veprës “Trashëgimtari” të Arben Iliazit janë aktorë që e kanë përjetuar skenën që në këtë rast vijnë aktorë të një komedie. Ata kanë ardhur në Teatrin Eksperimental para tre vitesh kur kanë qenë në vitin e dytë dhe kanë interpretuar sigurisht në role episodike tek një projekt që quhej “Arturo Ui” i vënë në atë kohë në skenë nga regjisori Kiço Londo. Në vijimësi ata vijojnë të jenë pjesë e produksioneve artistike dhe unë mendoj se kjo ndërton një garanci të parë për hedhjen e tyre në tregun e madh të artit. Të them të drejtën, ne kemi pasur një lloj fati si institucion, sepse falë mendiave të shkruara kemi pasur integrim të studentëve në këto institucione, por sot kjo po bëhet gjithmonë e më ë vështirë, prandaj unë mendoj që vetëm nëpërmjet dhënies së shansit, ndërtimit të trampolinave të tilla, siç është edhe në rastin konkret edhe “Trashëgimtari” vijojmë të përgatisim aktorë të vërtetë. Është në detyrën e institucioneve të ndjekin këto lloj perfomnacash dhe të studiojnë edhe ato kontingjentin e ardhshëm të jetës artistike. Është në detyrën e institucioneve që të shikojnë ku i kanë ata interesat e tyre dhe pse jo edhe të bëjnë përzgjedhjen e kontingjenteve artistike.

Pas shfaqjeve në Tiranë, do të bëni turne me shfaqjen?

-Ne jemi ftuar në fundjavë edhe ne teatrin “Zihni Sako” në Gjirokastër. Kjo nuk bëhet pa qëllim, por drejtoria e Gjirokastrës kërkon që në produksione e saj të kenë pjesë të luajtura nga studentët e rinj.

Cilat janë mesazhet që i mëshoni më fort në këtë shfaqje?

-Vepra ka një mesazh shumë të qartë. Unë mendoj se në këtë shoqëri të hapur, është mirë që të mos biem preh e vlerave si korrupsioni e krimi, deri dhe të dukshme qartë që në një farë mënyre  i ke shumë gjerë të shkruar sot edhe në mediat në Shqipëri e Europë. Në shfaqjen “Trashëgimtari” protagonisti jep mesazhin të pozicionohemi aty ku ne jemi të vyer dhe të bëjmë shumë punë, e cila nëpërmjet djersës, nëpërmjet investimit tonë direkt edhe vlerës materiale të jetojnë jetën e tyre. Vlera materiale vërtetë është një gjë që na gëzon, por duhet fituar me djersë tonë dhe që ta bëjnë gjumin rehat kur kthehen në shtëpi. Unë them me këtë vepër se shpirti nuk blihet, këtë mesazh përcjell vepra. Pra njeriu në radhë të parë duhet t’u gëzohet të dhënave shpirtërore, më parë sesa t’u gëzohet të dhënave materiale.

Për sa u përket risive skenike, cilat janë ato që do të donit t’i spikatni më tepër?

-Më vjen shumë mirë prej tyre të përmend dy gjëra. Vepra është shkruar në gjininë e groteskut. Në këtë aspekt ne kemi ndërtuar një shfaqje që do të jetë vetëm me një valixhe, pjesë e shfaqjes janë dy notarë, një manekine, një valixhe vetë dhe një paravento që përdoret në mjediset kryesisht të femrave, që shërben për të ndërruar veshjet aktorët. Ne jemi përpjekur që të ndërtojmë gjuhën e simbolikave. Vetë personazhi i Suzit që është një manekin, që realisht nuk është një kukull, por që është gruaja shqiptare që gati-gati të kujton diçka si imazhin e Norës së Ibsenit, por është një personazh autentik shqiptar, është një personazh në zhvillim që vuan për një gabim që ka bërë në të shkuarën e saj, që siç thotë vetë personazhi donte në rininë e saj një burrë me karrierë, që të kishte para, që të kishte komfortin në jetë dhe para, por kjo grua kuptoj se kjo nuk është jeta e vërtetë, dhe në fund sigurisht kjo grua e mbyll skenën pikërisht me valixhen e saj drejt një fati tjetër, dhe mua më vjen mirë se ky është një mesazh për të gjitha femrat shqiptare, të cilat sot duhet të jenë të zonjat të bëjnë zgjedhjen  duhur. Kur ndjenë se nuk është ajo zgjedhje që kanë bërë njëherë zgjedhja e duhur, fakti është që divorci nuk është ndonjë dramë e madhe.

Një shfaqje me pak aktorë do shumë talent në interpretim. Mendon se përballohet pesha e një simbolike të madhe me aktorët-studentë?

-Unë mendoj se e kemi përballuar, dhe vepra ka përfituar nga energjitë që kanë këta djem e vajza. Shfaqja vrapon gjatë gjithë kohës. Madje duke bërë këto përpjekje gjatë provave, ata shfaqin edhe mangësitë që kanë në disa pjesë të interpretimit, por falë përpjekjes dhe energjisë, këta studentë e kanë bërë këtë pjesë atraktive, siç është edhe vetë përjetimi i problematikës së saj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?