Mimoza Hafizi në përurimin e librit të saj

Mimoza Hafizi: Një yll me alienë na buzëqesh nga qielli

4 Nëntor 2018, 08:19| Përditesimi: 4 Nëntor 2018, 08:25

  • Share

Mimoza Hafizi beson se një yll që ka planet na buzëqesh nga qielli. Për ta bërë më të prekshme parandjenjën e saj, astrofizikantja e njohur ka prezantuar romanin “Pika trëndafil për ne dhe Alienët”.

Përmes tij, në një formë krejt të thjeshtë, Hafizi pasqyron të rejat në shkencë.

“Ne, tokësorët me staturë shkencëtari, lindur në imagjinatë, por vendosur në qendra reale kërkimore të hapësirës, përmes ngjarjesh tipike, ju dëshmojmë arritjen marramendëse të këtij shekulli; zbulimin e mijëra planetëve të reja në Gjithësi, ku mund të ndodhen ALIENË”, shkruan autorja në parathënien e librit.

Hapësira qiellore aq shumë e hulumtuar prej saj e prej qindra e mijëra të tjerëve, nëpërmjet fakteve shkencore, këtë herë vjen tek njerëzit e zakonshëm për ta përjetuar lirshëm misterin e ekzistencës së jetëve të tjera në Univers. Mimoza Hafizi e ka bërë këtë qasje duke gërshetuar me tokësoren e përditshme, me një gjuhë të përsosur, ku përshkrimet e të gjitha proceseve shpjegohen me një pasuri të admirueshme të figurave të sofistikuara letrare. Duke lexuar librin e Hafizit, edhe lexuesi nuk rri më indiferentë ndaj qiellit. Kështu, edhe ne bëhemi, dashur pa dashur, zbulues qiellorë.

Dëshira për të komunikuar përtej njerëzve që merren me shkencë e ka nxitur astrofizikanten Mimoza Hafizi për të krijuar romanin shkencor “Pika trëndafil për ne dhe alienët” që e prezantoi me një pjesëmarrje të pazakontë në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

“Shtysa ime është dëshira për të komunikuar me njerëz që nuk janë profesionistë arritjen e njerëzimit në njohjen e universit dhe planetëve jashtë sistemit diellor, aty ku mund të ketë jetë. Këtë emocion e komunikoj me studentët, por këtë herë desha të gjej një mënyrë të thjeshtë që çdokush me formim minimal ta kuptojë se ç’po ndodh, sesi njerëzimi ka arritur të depërtojë në miliarda dritë vite larg dhe të kërkojë jetën edhe në galaktika të tjera”.

Romani shkencor është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe në formë të prekshme për çdokënd që do lexojë këtë libër

“Pika trëndafil”, sipas disa kritikëve bënë pjesë në zhanrin shkencë popullore. Hafizi shpegon se “Pika trëndafil është emër i stilizuar për planetin më të afërt me Tokën, por jashtë sistemit Diellor.”. Ajo shprehet se “Përmes ngjarjesh, reale apo imagjinare, që zhvillohen në Qendra të rëndësishme të kërkimit të hapësirës anekënd globit, ky libër do t’ju lidhë me botët e vogla e vite-dritë të largëta, që kemi filluar t’i njohim në pragun e mijëvjeçarit të tretë. Janë ekzoplanetet, planetet qark yjeve të tjera, që bartin mbi vete sekretin e jetës jashtëtokësore dhe të alienëve. Ne duam dhe nxitojmë t’i zbulojmë !”. Autorja i përshkruan tërësinë e tezave dhe hipotezave shkencore në variantin artistik  përmes personazhesh të imagjinuara, por tipike në mjedisin shkencor, përmes episodesh, dialogësh, përsiatjesh a deri në prekje fantazish në limitin e njohjes. “Ky roman ju fton edhe në botën tokësore të inteligjencës, ekselencës, teknologjisë së lartë, progresit të vrullshëm, karaktereve të forta dhe temperamenteve të buta, që ndërthuren tek kërkuesit e hapësirës dhe Universit. Pse kërkojmë? Përgjigja shpresoj të vijë thjesht në faqet e librit tim, ngaqë vetëm mëton të nxjerrë nga subkoshienca atë që natyra na e ka gdhendur pakthyeshmërisht në gene, betejën për mbijetesën dhe ekspansionin e llojit tonë.”, shprehet autorja e librit Mimoza Hafizi. Duke komentuar për lexuesit librin e saj që ajo e quan Popshkencë, Hafizi shprehet se:  

“Nuk e di se sa ia kam dalë ta çoj në destinacion dëshirën time për të shkruar artistikisht e kuptueshëm një libër shkencor. Por jam e sigurt se ia dola të krijoj një stil unik të rrëfyeri, që nuk e kam gjetur kurrkund në llojin e letërsisë popshkencë: Rrëfenja veç dhe Dija përballë saj. Krijimi artistik rrjedh në faqet e djathta të librit, ato majtas i përgjigjen me shpjegime të thjeshtuara dhe informacione shkencore shtesë. Si në piano, ku muzika luhet me dy duar. E djathta tingëllon arpezhet, që përcjellin motivin dhe vijën melodike. E majta luan fort akordet, që i japin notave sigurinë e duhur për të mbajtur peshën e muzikës së madhe. Muzikës hyjnore në këtë rast, asaj muzike të kompozuar nga njerëzit e epokës sonë. Motivi? Zbulimi i planetëve të reja në Gjithësi, atje ku mund të ndodhen Alienët.”.

Duke lexuar librin kureshtjendezur të Mimoza Hafizit mendja të punon tek trupat e çuditshëm që të ka rënë rasti t’i shohësh në qiell, që të lënë pothuajse memec para së panjohurës. Por edhe në misterin e errët përtej sistemit tonë diellor Mimoza Hafizi kërko të ndez një dritë. “A ia kam dalë? Këtë do ta thonë lexuesit. Gjithsesi, më mirë të lodhesh për të ndezur një qiri, sesa duke mallkuar pafund errësirën!”, thotë astrofizikantja shkrimtare

.....

Fragment nga “Pika Trëndafil” i Mimoza Hafizit

“Teksa projektonte disa orbita në ekran, mendjen ia përshkoi vija e ndritshme e fëmijërisë së vet, e cila po ndiqte Diellin në perëndim, ndërsa ajo e shihte në heshtje, nga dritarja e apartamentit të saj. Kishte qenë një objekt lirie, që mund të kapërcente edhe në botë të tjera, të palejuara asokohe për të dhe për prindërit e saj. Mund të kapërcente pa u ndalur nga rojet e shumta të kufirit, në malin me ngjyrë blu, që zinte horizontin perëndimor të qytetit të saj të lashtë.
- Përtej atij mali, - kishte ngritur një ditë gishtin tregues nuna e vet, - ndodhen vende të tjera të ndryshme nga i yni. 
Dhe i kishte premtuar se do ta merrte me vete në një udhëtim në Itali. Pikërisht andej nga po shkonte ylli me bisht. Por nuk kishte mundur asnjëherë ta përmbushë premtimin e saj, ajo grua e dashur dhe autoritare, me shtat të pakët dhe me flokë të dredhur rreth fytyrës së pastër. Duke i lënë, pa dashje, ndjesinë e zhgënjimit të parë, diku në kufirin mes harresës dhe kujtesës, në caqet më të largëta të fëmijërisë së hershme. Zhgënjim që nuk perëndonte dot, se e mbante lidhur floknaja e shkëlqyer e asaj ngjarjeje të rrallë qiellore. 
Isak Njuton është i pari që kuptoi se kometat janë një tip i veçantë trupash qiellorë, që sillen rreth Diellit, ashtu si sillen dhe planetët. Veçse orbitat e tyre janë më të zgjatura. Ka dhe kometa që i afrohen vetëm një herë Diellit dhe ikin në pafundësi. Në ekranin e projektimit u shfaqën tre tipat e orbitave: eliptike, parabolike dhe hiperbolike, që studentët i njohin nga kurset e para të Mekanikës Klasike.
- A ekziston ndonjë përkufizim, që mund t’i ndajë planetët nga kometat dhe asteroidet? Se fundja, të gjithë këta trupa sillen rreth Diellit. 
Studentja që formuloi pyetjen ishte një vajzë zeshkane, me dialekt nga jugu, i cili përçonte shumë seriozitet, porse pak ashpërsi...”

 

 

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?