"Sarajet e Selim Pashë Toptanit" në Tiranë u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë ndër të paktat saraje feudalësh që gjenden në qytetet e Shqipërisë, por sot në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, ky monument kulture është i mbyllur.
Nga ana tjetër në faqen zyrtare, Ministria e Kulturës njofton se: "Në këtë ditë, hyrja në monumente, parqe kombëtare dhe site arkeologjike është falas". Ish-drejtuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe në një intervistë për Report Tv tregon shkakun e kësaj pasoje.
“Që nga 92’ dhe deri sot ne kemi një grafikë në të cilën monumentet po shkatërrohen dita ditës. Qoftë Berisha, qoftë Rama kanë një disinteres total ndaj monumenteve. Madje mund të them një përbuzje”.
Apollon Baçe për Report Tv
Sipas Baçes, fondet ndaj mirëmbajtjes së monumenteve kulturore çalojnë ecurinë e punës.
“Fondet kanë qenë problem gjatë gjithë kohës. Unë kur kam qenë drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, fondet për monumentet kanë qenë 30 mijë euro. Tani mendoni me 30 mijë euro, mund të blesh maksimumi ndonjë veturë nga këto që blenë gjykatësit dhe prokurorët e jo ndonjë gjë tjetër”
Ish-drejtor i IMK, Apollon Baçe
Baçe thekson se në fokusin e ministrisë së Kulturës duhet të jetë Kalaja e Gjirokastrës, pasi është në gjendje alarmante dhe rrezikon qytetarët.
“Sot ajo ka tamam instrumentet e matjes,se i kam sjellë unë ato nëpërmjet italianëve, të cilët tregojnë me mikrometër sa milimetër vazhdon çarja. Aty në rast se shkëputet mund të bjerë në qytet, të zërë një lagje të tërë. Po mendoni një lagjeje të tërë t’i bien 100 ton gurë mbi kokë?”
Ish-drejtor i IMK, Apollon Baçe
Në raportin e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaros rezulton se nga 2297 objekte të trashëgimisë kulturore të inventarizuara, 219 prej tyre janë në risk shembjeje. Për shpëtimin e tyre duhen 12 milionë euro.