Sociale
Opinion
Periferi

Minatori i vrarë dhe familja e tij si në një Aushvic të viteve 2021

21 Shtator 2021, 13:57| Përditesimi: 21 Shtator 2021, 14:05

  • Share

Fiqiri Karaj humbi jetën duke punuar në një nga galeritë e shumta të nxjerrjes së kromit në Bulqizë. Eshtë një nga minatorët që vijnë në kronikat e mediave vetëm kur bllokohen në galeri dhe në agonitë e tmerrshme e të gjata të nëntokës, vdesin. Sa më shumë minatorë të vdesin, aq më shumë media, politika, shoqëria, i konsideron rutinë. Tashmë duket si “normale” që një minator mund të vdesë nën galeri. Në të vërtetë duhet të ishte e kundërta: Sa më shumë minatorë humbin jetën, aq më shumë strukturat shtetërore duhet të kalojnë në filtër kushtet e punës, masat e sigurisë, pajisjet teknike në të gjitha galeritë. Shteti duhet të ndezë drita verbuese për të parë mirë, fare mirë kushtet, duke inkurajuar më seriozët, e duke eliminuar përfundimisht hileqarët. Janë këta të fundit që hapin galeri si çarqe për minatorët dhe vazhdojnë paligjshmërinë e tyre të pabezdisur.

Report TV përmes gazetarëve të tij vendosi të hedhë më shumë dritë në jetën dhe në familjen që la pas minatori i vrarë: Dhe tragjedia që zbulohet nga një kamera dhe një mikrofon i ndezur i kalon përmasat e njerëzores. Varfëria në familje, bashkëshortja që duhet të punojë edhe ajo në përzgjedhjen e kromit, tri vajzat e mitura dhe njëra me sëmundje të rëndë, janë arsyeja, motivi i madh që e kanë çuar Fiqiriun përditë në atë galeri. “Kam qenë edhe unë minator për 28 vite, - tregoi mes lotëve xhaxhai i minatorit të vrarë, - por në kohën tonë kishte inxhinierë, kishte teknikë...”, pra xhaxhai i moshuar dëshiron të “ulërasë”, por nuk e bën dot, që sot, në Shqipërinë e viteve 2021, në vend që minatorët të punonin më të qetë, më të sigurtë e më të mbrojtur, kushtet e tyre janë, në disa raste, si në minierat e shekujve të kaluar?

Kush e lejon këtë? Kush tjetër, veç Shtetit dhe strukturave të tij mund të ndezë dritat për të parë gjendjen? Kush tjetër mund të lejohet të futet e të verifikojë galeritë që për median e këdo janë kthyer si lagera, si Aushvicë të kohëve moderne, ku kërcënimet e dhuna janë më e pakta që mund të ndodhë vetëm nëse afrohesh?

Ndërsa në Tiranë, ndoshta, përgjegjës të moskontrolleve, të mbylljes së syve, të lejimit të gjendjeve të rënda të punës në miniera dhe të minatorëve, përzgjidhnin të vishnin kostumin, këpucët, fustanin, çantën e shtrenjtë për të shkuar në Teatrin e Operas falas, Fiqiriu ishte endë në galeri, i mbuluar nga kromi fitimprurës. Ishte ende gjallë? Mendonte për gruan dhe tri vajzat e tij të mitura? Këtë kurrë nuk mund ta dimë. Dimë vetëm se dëshmitë e të gjallëve në Bulqizë tregojnë për kushte të rënda e të papranueshme. E ndonjëherë vdekjeprurëse. Dimë se ku jetonte Fiqiriu dhe familja e tij. Dhe mund të krenohemi se kemi ecur përpara, nëse të brishtët e shoqërisë nuk do të jenë më kaq tmerrësisht të brishtë!

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?