Politikë

Minatori Plaku humbi jetën në galerinë e kromit në Bulqizë, deputeti Krashi: Duhet monitoruar zbatimi i rregullave! Në 30 vitet e fundit, investimet për Dibrën kanë qenë me kursim

20 Shtator 2021, 13:55| Përditesimi: 20 Shtator 2021, 14:19

  • Share

Vdekja e minatorit  Muharrem Plaku në një minierë në Bulqizë, pasi mbeti i bllokuar nga rrëzimi i një masivi minerali për 5 ditë, risolli në vëmendje kushtet e punës në miniera dhe problemet me zbatimin e masave të sigurisë.

Deputeti i PS-së në Dibër, Lavdrim Krashi, teksa komentoi këtë ngjarje të rëndë, u shpreh në 'Report Tv' se në miniera është e domosdoshme të ketë një monitorim për zbatimin e rregullave nga kompanitë që i administrojnë.

"Problemi është te siguria në punë. Ajo që duhet të ndodhë është monitorimi, për të ndjekur dhe për t'u siguruar që rregullat e dakordësuara zbatohen nga kompanitë që shfrytëzojnë këto pasuri", tha ai.

Krashi u shpreh se në 30 vitet e fundit investimet në Dibër kanë qenë në pakta, duke lënë të nënkuptuar faktin se pasuria e kromit që zona ka është keq-shfrytëzuar, teksa thekson se qytetarët do të duhej të jetonin në kushte shumë më të mira se sa jetojnë sot. Ai theksoi se çështjen e minatorëve do ta ngrejë edhe në Parlament, për të ndërmarrë më pas hapat e domosdoshëm për t'i dhënë fund kësaj situate.

"Nuk kam fjalë për ngjarjen, çdo humbje jete është e trishtë. Unë vij nga një vend që minierat i ka patur punëdhënësit më të madh në sektorin publik dhe privat. Zonat e Bulqizës, por dhe të tjera në Dibër janë të pasura me krom. Sa i përket investimeve, në 30 vitet e fundit kanë qenë më shumë kursim. Investimet publike kanë qenë me kursim, por tani vëmendja po kthehet drejt Dibrës. Do të negocioj fort me institucionet, me Ministrinë e Infrastrukturës. Do të kërkoj atë që unë mendoj se qytetarëve i takon, do të jetë një nga prioritet më të mëdha që do ta çoj edhe në parlament si çështje. Pasuria atje është shumë e madhe dhe qytetarët duhej të jetonin shumë më mirë sesa jetojnë sot", theksoi ai.

60-vjeçari Plaku mbeti i bllokuar në galerinë e minierës në Bulqizë si pasojë e shembjes së masivit të mineralit, ndërsa trupi i pajetë i tij u nxor në mesnatë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?