Kronikë

Minatori rreth 72 orë i bllokuar në galeritë e minierës së Bulqizës, Autoriteti për Sigurinë në Miniera: Operacioni i vështirë, vijojnë të bien minerale! Familjarët presin me ankth te dera (VIDEO)

17 Shtator 2021, 10:30| Përditesimi: 18 Shtator 2021, 07:36

  • Share

BULQIZË- Prej gati më shumë se 72 orësh, shpresa për të shpëtuar minatorin Muharrem Plaku, i cili ka mbetur i bllokuar në galerinë e errët të minierës së Bulqizës, duket se po zhduket. Me dhimbjen e madhe në shpirt, familjarët e tij nuk kanë lëvizur për asnjë moment nga dera e minierës, duke pritur dritën jeshile në fund të tunelit.

Për gjendjen e tij shëndetësore nuk ka asnjë informacion, ndërsa burime për ‘Report Tv’ bëjnë me dije se kërkimet për gjetjen e minatorit po ecin me ritme të ngadalta. Kjo po ndodh për shkak se hapësira e galerisë nuk lejon që të punojnë më shumë se dy punëtorë.

E kur kaluan më shumë se 48 orë nga bllokimi i minatorit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera njoftoi se operacioni është mjaft i vështirë, për shkak se vijojnë të bien minerale. Po ashtu ata shprehen se operacioni kërkon kohë dhe shumë kujdes, për të mos rrezikuar jetën e  shpëtuesve.

Mësohet se në Galerinë 3, që menaxhohet nga kompania minerare "KADURTEX" kanë qenë duke punuar 6 minatorë. 60-vjeçari me profesion teknik ka qenë duke hapur frontin e ri të punës për minatorët që do të nxirrnin më pas mineralin e kromit, por dyshohet se në thellësi ka pësuar shembje pingule masivi shkëmbor. Pesë prej minatorëve kanë arritur të shpëtojnë, me dëmtime të lehta, ndërsa kolegu i tyre ka mbetur i bllokuar.

Subjekti minerar "KADURTEX sh.p.k." ka administrator Kapllan Duriçi dhe bashkëpronarë vëllezërit e tij Myfit dhe Ilber Duriçi. Ndërsa policia bën të ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, por ende nuk ka asnjë person të ndaluar.

 

Ora 19:06
Mbi 48 orë i bllokuar në galeritë e minierës së Bulqizës Autoriteti për Sigurinë në Miniera: Puna e vështirë, vijojnë të bien minerale! Duhet kujdes për të mos rrezikuar jetën e shpëtuesve

Ndërsa kanë kaluar më shumë se 48 orë që ku minatori Muharrem Plaku mbeti i bllokuar në galerinë e minierës së Bulqizës, Autoriteti për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera shprehet se operacioni i shpëtimit është i vështirë për shkak se vijojnë të bien inerte.

Në një informacion mbi operacionin për shpëtimin e 60-vjeccarit, Autoriteti për Sigurinë shprehet se nuk ka informacion të saktë mbi vendndodhjen e tij në galeri dhe se operacioni po zhvillohet me shumë kujdes për të mos rrezikuar jetën e shpëtuesve.

"Në datë 15 shtator 2021, rreth orës 10:00, në galerinë nr. 36 të subjektit “Kadurtex”, zona qëndrore Bulqizë, ka ndodhur një aksident. Minatori Muharrem Plaku, 60 vjeç, ka hyrë në zonën e shfrytëzimit, në një hapësirë të vjetër për të rrëzuar material për në horizontin e transportit, por në atë moment ka ndodhur një shembje e mineralit, e cila e ka zënë atë poshtë dhe ka bllokuar hyrjen e galerisë.

Grupet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera kanë shkuar shumë shpejt pranë galerisë ku ka ndodhur aksidenti, duke përfituar nga fakti se në atë kohë ndodheshin në Bulqizë për inspektim në një subjekt tjetër. Që prej atij momenti ka nisur menjëherë puna për nxjerrjen e trupit të minatorit, punë e cila nuk është ndalur për asnjë moment që prej ditës së mërkurë. 

Situata në frontin ku është bllokuar minatori paraqitet shumë e vështirë. Nuk ka informacion të saktë mbi vendndodhjen e viktimës, pasi ai ka qenë i vetëm në hapësirën e nënkatit të parë. Vazhdon pastrimi i materialit në rrugën kryesore dhe në nivelin e nënkatit të parë, por nga hapësira vazhdon e bjerë material pa ndërprerje, çka e vështirëson akoma më shumë punën.

Aktualisht grupet e punës janë të përbërë nga 3-4 shpëtues (për shkak të frontit të ngushtë ku mund të gërmohet), të cilët ndërrohen me turne çdo 3 orë, ndërsa punohet 24/24 pa ndërprerje. Në drejtimin e operacionit është drejtori i emergjencave të AKSEM, ndërkohë që 6 inspektorë mbikqyrin situatën në vazhdimësi, duke vepruar të ndarë në turne. Për shkak të vështirësive objektive që paraqet ky rast, operacioni kërkon kohë dhe kujdes të madh gjatë punës, për të mos rrezikuar jetën e punojësve dhe shpëtuesve që ndodhen në vendngjarje", thuhet në reagim.

Ora 17:46
Kolegu i bllokuar prej 48 orësh në galeritë e minierës së Bulqizës, ish minatori: Puna e vështirë, në atë galeri nuk ka siguri për jetën

Shpresat që minatori Muharrem Plaku të dalë i gjallë nga galeria e minierës së kromit ku është bllokuar pas më shumë se 48 orësh sa vijnë e shuhen. Ish kolegu i tij shpreh dhimbjen për këtë ngjarje që i ndodhi Muharremit, ndërsa rrëfen kushtet e vështira me të cilat punohet në galeri. Ish minatorit Avdul Biçi shprehet se problemet e shembjeve në galeri janë të pashmangshme, ndërsa shton se në atë galeri ku është bllokuar Muharrem Plaku ka punuar edhe vetë 3 vite  në kushte të vështira për sigurinë e jetës.

“Te kjo galeri kamë punuar unë mbi tre vite. Nuk ka kujdes në punë aty. Nuk ka të sosur ky lloj problemi. Këto probleme të galerive janë të pallogaritshëm kudo. Ai sot mund të ishte drejtor i këtij profili, ka kaq vite në punë dhe specialist i vjetër dhe mjaft i kujdesshëm në punë”, tha ish minatori.

Me dhimbje, ish minatori Biçi  shpreson shumë që ish kolegu i tij të dalë i gjallë nga galeria.

Në Galerinë 3, që menaxhohet nga kompania minerare "KADURTEX", 60-vjeçari me profesion teknik ka qenë duke hapur frontin e ri të punës për minatorët që do të nxirrnin më pas mineralin e kromit, por dyshohet se në thellësi ka pësuar shembje pingule masivi shkëmbor dhe ka mbetur i bllokuar.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?