Sa herë lexoj apo shikoj zhvillime brënda PD-së aq herë imagjinata ime komunikon vizualisht me pikturën “Ulërima” të Edvard Munch. PD-ja Me Berishën në krye erdhi në shoqërinë shqiptare si figura e njeriut që ulërin pafundësisht, si imazh që e shqyen qiellin e pikturuar me ngjyrën e gjakut. Përfaqësim fizik i ankthit ekzistencial të shqiptarve që 35 vjet më parë ndiheshin në kundërshtim me botën që i rrethonte. Fytyra e PD-së që në fillimet e saj e deri më sot ka deformimin e fytyrës së “Ulërimës”, ku qëndrimet ekuilibruese kanë qënë dhe janë në një çoroditje të vërtetë. Këtyre deformimeve pdiste iu shtua së fundi deklarata e avokatit Gjokutaj, që na ringjalli fantazmat e komploteve enveriane, triumfin historik të Komandantit mbi armiqtë komplotistë që gjithmonë i zbulonte Udhëheqësi legjendar. Botëkuptimi berishist mbizotërues në PD vazhdon t'a mbajë këtë parti të burgosur në makthin e krizës ekzistenciale.
Mëndja e sëmurë e Berishës pjellë vetëm komplote, grupe armiqësore, rrethime dhe bllokada ndërkombëtare. Sabotime që i vijnë nga partia kundërshtare dhe udhëheqësi i saj E. K. Rama. Njëlloj si diktatori komunist që i kapur në burgun e mëndjes së vet nuk arrinte asnjëherë të dilte nga gjëndja e ëndrrave paranojake, me deformime psiqike të pa vetëdijëshme për veten e tij të vërtetë. Njëlloj edhe Saliu që nuk kërkoi asnjëherë të shohë brënda vetes për të arritur një kuptim më të thellë të vetes dhe, për të arritur një gjëndje më të zgjuar të vetëdijes.
Thonë se është dhe e mbajnë për shumë inteligjent, politikan race, i zgjuar, i vetmi shpëtimtar i partisë që mund t'a çojë në pushtet, etj.
Duke gjykuar punën dhe të bërat e tij mendoj ndryshe. Sali berisha është njeri inteligjent por jo i zgjuar apo i mënçur.
Natyrisht një mjek i kujdesshëm i ndan mirë këto dy nocione: inteligjencën dhe zgjuarsinë, të cilat sa të afërta me njëra tjetrën aq dhe të dallueshme nga një fill ndarës gjithashtu. Dallimi është fin, i sofistikuar, por me rëndësi jetike në jetën e përditëshme. Aq delikat ose i saktë saqë është i vështirë për t’u analizuar ose përshkruar. P.sh. Është e gabuar të thuash: Profesori është i zgjuar dhe ka botuar shumë punime kërkimore. Korrekte do ishte të thuhej: Profesori është inteligjent dhe ka botuar shumë punime kërkimore. Nuk është korrekte të thuhet: ai është shumë i zgjuar në matematikë. Korrekte do ishte: ai/ajo është shumë inteligjent/e në matematikë. Njëlloj do thonim: ajo është nxënëse inteligjente që gjithmonë merr notë maksimale.
Inteligjenca është më shumë një cilësi e brëndëshme, një aftësi njohëse e lindur, me aftësi mendore shumë të mira për të mësuar, kapacitet memorizimi të fuqishëm, të menduari abstrakt, i referohet një niveli të lartë të aftësisë mendore në kontekst akademik, një lloj “peshkopi” në zhargonin studentor. Nuk e ka intuitën e nevojshme për të vlerësuar ose peshuar në mënyrë kritike informacionin. Me kujtesë të fuqishme Berisha mban mënd shumë mirë rrjetet, emrat, bëmat, makinacionet e porosive vrasëse të kriminelëve, thashethemet “e mira dhe ato të ndyrat” e funksionarëve të shteti dhe të deputetëve, një njohës i shkëlqyer i botës së nëndheshme shqiptare që, i mundëson alibira shpifëse për familjet e kundërshtarëve të atilla që do turpëronin edhe rrugaçin më të fëlliqët të lagjes.
Por duhet të mbajmë mirë parasysh se nuk ka korelacion midis nivelit të IQ-së dhe suksesit. IQ e lartë mund të parashikojë suksesin akademik, por nuk lidhet domosdoshmërisht me rezultate të tjera të jetës së përditëshme. Ndërsa zgjuarsia është më shumë një cilësi e zhvilluar me përvojë, ka më shumë të bëjë me zbatimin praktik dhe gjykimin e shëndoshë. Një individ i zgjuar mund t'i vlerësojë situatat shpejt, t'i lexojë mirë njerëzit dhe të përdorë njohuritë e tij shumëdisiplinore për të arritur sukses. Të zgjuarit edhe nëse i mungon arsimimi formal, mënçuria i zhvillohet nga përvoja, vëzhgimi dhe të mësuarit nga gabimet e së kaluarës, më shumë sesa nga librat ose mësimet në klasë. Zgjuarsia siguron që të mos ndihesh kurrë shumë i sigurtë se di gjithëçka për një fushë të caktuar, sepse eksperienca të ka mësuar se në atë fushë përfshihen shumë faktorë jo stabël, të papritur, të ndryshueshëm, surprizues.
Berisha inteligjent tallet me “Bojaxhiun” Rama, por nuk ka arritur kurrë të kuptojë sesi bojaxhiu i zgjuar Rama “pa arsim tejet të avancuar akademik ose inteligjencë të jashtëzakonshme” si ai, ka arritur të ndërtojë një makineri të fuqishme, të “frikshme” në pathyeshmërinë e saj elektorale. Bojaxhiu Rama ka mësuar dhe pasuruar eksperiencën politike, ka zhvilluar instiktin improvizues dhe ka arritur të ketë një ekuilibër të drejtë inteligjence mendore dhe asaj emocionale. Gjë që në çdo dalje që bën dëshmon entusiazëm fshataresk se do vazhdoj t'i mungojë rivalit të tij anakronik.
Sigurisht shumë njerëz kanë bërë pyetjen: Si është e mundur që qysh në fillimet e tij në politikë dhe në vazhdim deri në situatën aktuale Sali Berisha vazhdon të ketë dështime fatale për vëndin, për veten e tij dhe për partinë që komandon? Edhe me IQ të lartë edhe një dështak kronik! Mentaliteti tribal berishist ka një armik të betuar :Meritokracinë. Që në ditët e para në krye të PD-së e ka luftuar me të gjitha mjetet, në të gjitha rastet e çfaqjes ka rrahur, vrarë, përndjekur dhe përjashtuar nga forumet bashkëpunëtorët njëlloj si Diktatori në konferencat dhe plenumet e partisë.
Nuk mund të gjej rrugëdaljen reformuese një parti opozitare ku ardhjet e reja bazohen në nepotizëm. Zëdhënësi i ri i PD-së është një i ri që vjen nga prind ish anëtar kryesie shumë pranë Berishës. Emrin e ka “X” dhe mbiemrin Mustafaj. Kështu kemi X Mustafaj, X Balliu e plot të tjerë më pak të dëgjuar. Në daljen e parë si zëdhëns X Mustafaj deklaroi me stil berishist: “Po punojmë për çarjen e rrethimit ndërkombëtarë të PD-së”. Mos, thashë me vete. Ky s'paska mendim të vetin dhe kurajon e duhur për të përballuar të vërtetën.Thonë me krenari që ka studjuar në Perëndim. Po atje të mësojnë se si të zhvillosh të menduarit kritik. Këtij i paska mbetur mëndja te paranojat me rrethime ndërkombëtare të E. Hoxhës, të babait të vet komunist dhe kryetarit komunist gjithashtu.. Mjerim për PD-në dhe zëdhënësin e saj të ri perëndimor që del dhe lexon gjithëçka që ia shkruan Kryetari..
E korigjoi ditën tjetër: “Po punojmë për njohjen ndërkombëtare të PD-së”. S'mund të ketë rrugë të hapur drejt pushtetit një parti ku gëlon mendësia kolektiviste komuniste. Streha partiake Pdiste është kthyer në “Rifugio peccatorum” ku plot të rinj e të reja krahas më të vjetërve ndjekin personin e gabuar duke rritur distancën e largimit nga “Të duhurit”.
Komente
