Korale në Gjirin e Akabas

Minierat në fund të detit: Dobi për klimën, dëm për detet

14 Prill 2023, 08:38| Përditesimi: 14 Prill 2023, 08:40

  • Share

Metalet e rralla dhe metalet e tjera nevojiten kudo, sidomos për të bërë kthesën energjetike, kështu për shembull nevojitet bakër apo nikel për bateri, kobalt për makinat elektrike ose mangan për prodhimin e çelikut. Kërkesat janë në rritje, ndërkohë që burimet janë duke u pakësuar kudo në botë.

Sipas vlerësimeve të bëra, që pas tre vjetësh do të nevojitet dyfishi i litiumit që nevojitet tani dhe 70 përqind më shumë bakër. Për të plotësuar këto nevoja, disa vende dhe ndërmarrje duan që të përdorin burimet në thellësi të detrave.

Deri tani nuk ka pasur rregullime ndërkombëtare për ngritjen e minierave në fund të detit, por koha nuk pret, sepse në muajin korrik mbaron afati për nxjerrjen e një rregulloreje të detyrueshme. Në takimin e fundit të mbajtur në fund të muajit mars, autoritetet ndërkombëtare të detrave, ISA, nuk arritën marrëveshje. Mbas kësaj vere, ndërmarrjet mund të bëjnë kërkesa për shfrytëzimin e thellësisë së detit, pa këtë rregullore.

Deri tani ato kanë marrë vetëm licenca për të bërë kërkime për mundësitë e shfrytëzimit. Tani, dialogu jozyrtar për rregulloren duhet të vazhdojë deri në takimin e radhës që mbahet në muajin korrik, një ditë pas përfundimit të afatit.

Mbrojtësit e mjedisit dhe firmat e ndryshme e shohin me sy kritik shfrytëzimin e thellësisë së detit. "Thellësia e detit është pasuri më vete sa i përket biodiversitetit, është e pasur në burime të gjalla, që ne i përdorim në mjekësi dhe që janë të rëndësishme për të rregulluar klimën dhe shërbejnë si stacione për kultivimin e peshkut dhe vende ushqimi,” thotë biologia e detrave nga Karaibet, Diva Amon. Pa detin "planeti ynë nuk do jetë më i njëjti”.

A mund të nxisin goglat e manganit kthesën energjetike?

Nga pikëpamja ekonomike interesimi sot është kryesisht për lëmshet polimetalikë, që quhen edhe gogla mangani. Goglat e përbëra nga përzierje metalesh të ndryshme janë të mëdha sa një patate dhe përmbajnë sasi të madhe nikeli, bakri, mangani, metalesh të rënda dhe metalet të tjera me vlerë.

Fundi i detit i studiuar më mirë deri tani është në thellësinë 3500 metra dhe 5500 metra në zonën Clarion-Clipperton në Paqësorin lindor, në afërsi të Havait. Ky territor i gjatë një mijë kilometër përmban më shumë nikel, mangan dhe kobalt sa përmbajnë të njëjtat territore të njohura në tokë. Edhe pellgu i oqeanit Indian dhe fundi i detit para ishujve Cook, Atollen që ndodhet përballë Kiribatit dhe Polinezia franceze në Paqësorin Jugor janë me interes për shfrytëzim të mundshëm.

"Rastësisht, përbërja e këtyre goglave i përgjigjet pikërisht përbërjes që nevojitet për prodhimin e makinave elektrike,” thotë në një intervistë për Deutsche Wellen, Gerard Barron, kryetar i kryesisë së The Metals Company në Vankuver të Kanadasë. Kjo ndërmarrje është specializuar për shfrytëzimin në afat të mesëm dhe afat të gjatë të fundit të detit në zonën Clarion-Clipperton. Gogla mangani nuk nxirren ende në asnjë vend të botës, por kjo gjë mund të ndryshojë shpejt.

Në thellësinë mijëra metra dhe me presionin e lartë sa duhet, vendimtare është sidomos aksesi i lehtë tek lëndët e para. Goglat e manganit janë shumë tërheqëse për të bërë shfrytëzimin, sepse ato ndohen praktikisht në shtratin e detit. Ato mund të nxirren relativisht lehtë, pa shpuar në shtresat shkëmbore ose fundin e detit.

Shfrytëzimi i automatizuar i fundit të detit: Rrezik për botën e gjallë 

Në vend të gërrmimeve, mendohet të futet një si lloj aspiratori gjigand për të thithur nga fundi i detit goglat, që do të nxirren në sipërfaqe nëpërmjet një zorre të gjatë. Por bashkë me goglat në thithës do të futet edhe bota e gjallë e fundit të detit, e cila do të shkatërrohet, thotë Matthias Haeckel, studiues në qendrën Helmholtz për studimin e oqeaneve, që ndodhet në Kiel. "Kjo do të thotë se si organizmat ashtu edhe bakteret që jetojnë tek sedimentet dhe tek goglat, do të thithen komplet.”

Nëse shkatërrohen një herë, "ato nuk krijohen sërish as për një milionë vjet, sepse atyre u duhen goglat e manganit,” thotë Sabine Gollner, drejtuese studimi në institutin holandez për studimin e detit, Royal Netherlands Institute for Sea Research. Rigjenerimi i shpejtë është i pamundur, sepse nevojitet deri një milion vjet deri sa gogla të rritet me disa milimetra.

Shkencëtarët dhe kundërshtarët e shfrytëzimit të fundit të detit, druhen se krah ndotjes me zhurmë dhe dritë të fundit të detit, nga reja e krijuar prej sedimenteve gjatë thithjes do të shkaktohen dëme të mëdha për sistemin ekologjik në distancë me rreze deri qindra kilometra larg. Kjo prek lloje të ndryshme bimësh, si dhe jetën e gjallë në shtresat e mesme të ujit të detit, dhe tek organizmat e vogla sedimentet mund të bllokojnë rrugët e frymëmarrjes.

Kompania The Metal Company do që të nxjerrë në të ardhmen gogla nga fundi i detit në zonën Clarion-Clipperton dhe flet troç për dëmet e mundshme për shumëllojshmërinë e llojeve në det. Megjithatë kompania argumenton se bilanci i ambientit gjatë shfryzëtimit në thellësi të detit është shumë më i mirë se sa shfrytëzimi në tokë.

Sipas studimeve të bëra nga kompania, shfrytëzimi i fundit të detit shkakton 80 përqind më pak dioksid karboni se sa shfrytëzimi i minierave në tokë. Nëpërmjet tij nuk do të shkatërrohen mbledhësit e rëndësishëm të karbonit, si pyjet dhe tokat, nuk do të detyrohen njerëzit që të zhvendosen, nuk do të nevojitet konsum i madh uji të pastër, dhe nuk do të çlirohen lëndë helmuese.

Edhe kushtet e këqija të punës nuk do të përbëjnë problem, si përshembull përbëjnë problem në Republikën Demokratike të Kongos, ku nxirret sot sasia më e madhe e kobaltit të botës, në kushte çnjerëzore pune me incidente fatale dhe punë fëmijësh.

Nxjerrja e goglave nga uji mund të bëhet e automatizuar. Përkrahësit e shfrytëzimit të fundit të detit shohin këtu shanse që të minimizojnë pasojat negative për njeriun.

Nxjerrja e goglave të manganit nga uji mund të fillojë shpejt

Studimi, kërkimi dhe shfrytëzimi i mundshëm i pasurive nëndetare rregullohet nga ISA, e cila ka dhënë deri tani 31 kontrata eksplorimi. Këto leje i lejojnë ndërmarrjet që të kërkojnë burimet dhe potencialet e shfrytëzimeve të ardhshme, por i detyron ato që të nxjerrin të dhëna për të analizuar ambientin. ISA nuk ka dhënë deri tani leje për aktivitete të mundshme shfrytëzimi komercial në thellësi të detit.

Sidomos shteti ishull Nauri kërkon me ngulm shfrytëzimin e fundit të detit. Ai shfaqet si sponsorizues i një sub-kompanie që varet nga The Metal Company, e cila është e gatshme të fillojë shfrytëzimin në zonën Clipper. Por shumë vende, mes të cilave edhe Gjermania, kërkojnë që të mos lejohet shfrytëzimi i fundit të detit për sa kohë nuk është bërë studim më i mirë i pasojave.

Disa muaj më parë vendet anëtare të OKB ranë dakord për dy marrëveshje historike, që kërkojnë mbrojtjen më të mirë në të ardhmen të sistemeve ekologjike ujore. Një studim i organizatave ambientaliste Greenpeace dhe WWF ka arritur në përfundimin, se për të bërë kthesën energjetike dhe kthesën në fushën e transportit nuk nevojiten aspak lëndët e para të goglave të manganit. Meqenëse njohuritë për pasojat që do të ketë mjedisi janë të pakta, shumë shtete kërkojnë një moratorium, një ndalim të përkohshëm të shfrytëzimin të fundit të detit.

Për biologen e detrave, Goller, ende mungojnë të dhënat e mjaftueshme për të bërë shfrytëzim të fundit të detit, që të mos jetë i dëmshëm për mjedisin: "Në bazë të gjendjes aktuale të të dhënave, shfrytëzimi i fundit të detit nuk mund të bëhet në mënyrë që tillë që të mos jetë i dëmshëm për mjedisin. Vendimi për të bërë moratorium merret nga vendet, jo nga shkencëtarët. Ne japim të dhënat dhe të dhënat tregojnë se tani do ishte ende herët”. Disa koncerne të tilla si BMW, Volkswagen, Google, Philips dhe Samsung SDI i janë bashkuar thirrjes së WWF për një moratorium, dhe kanë deklaruar se nuk do të përdorin lëndë të para që janë nxjerrë nga fundi i detit dhe nuk do të financojnë shfrytëzimin e fundit të detit./DW

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?