Trashëgimia kulturore është në zemrën e projektit Evropian. U shtrinë në këtë linjë, diskutimet e ministeralit të Ballkanit Perëndimor, të organizuara nga Komisioni Europian, ku u fol për projektet që do vihen në dispozicion në mbështetje të kulturës, inovacionit, kërkimit, edukimit dhe trajnimit në Shqipëri.
Në konferencën e përbashkët, komisionierja Mariya Gabriel dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, vunë theksin tek angazhimi i brezave të rinj në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shfrytëzimin e teknologjisë në zhvillimin e kulturës, duke qenë edhe në 2022-shin, si Viti Evropian i Rinisë. Mundësitë për të marrë pjesë në projekte janë të hapura me programe si “Creative Europe”, “Horizon Europe” apo në iniciativën “Neë European Bauhaus”.
“Së pari duhet të theksoj se ne kemi në dispozicion 5 instrumenta dedikuar seksionit të kulturës dhe edukimit. Dua t’ju kujtoj mbështetjen e veçantë, sidomos me Erasmus plus për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe shuma për periudhën 2021-2027, është 374 milion euro. Për herë të parë në programin e ri të Horizon Europe është një seksion dedikuar kulturës dhe kreativitetit dhe buxheti është 2.28 bilion euro”, thotë komisionerja Gabriel.
Sa i përket diskutimit që mori ruajtja e trashëgimisë kulturore, dhe respektimi i mendimit të ekspertëve, u shtrua pyetja mbi çështjen e Teatrit Kombëtar, ku komisionerja Mariya Gabriel, para shembjes, kërkoi që të dialogohet me palët e përfshira. Dy vite larg shembjes, ajo përgjigjet sërisht për këtë temë.
“Ne duhet të kemi këtë platformë në kulturë, pasi kemi detyrën për të ruajtur trashëgiminë kulturore. Dhe në të njëjtën kohë ne duhet të ecim me teknologjinë dhe pajisjet e reja, dhe më e rëndësishmja është që vendimet duhet të meren së bashku, duke përfshirë ekspertët, shoqërinë civile për të treguar se kultura nuk është një mënyrë për të arritur qëllime të tjera, por është një burim mirëkuptimi, paqeje dhe stabiliteti”, thotë komisionerja.
Shkëmbimi i përvojave sa i përket digjitalizimit, nxitja e artizanatit, lufta kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, morën hapësirën kryesore të diskutimit. Në seksionin e dedikuar, kultura u trajtua si një nga sektorët që jo vetëm mund të ndihmojë në ndërtimin e urave lidhëse, por edhe që kërkon ndërgjegjësim dhe gjithë përfshirje për të forcuar identitetin evropian. Në vitin 2021 Shqipëria mori pjesë në 23 projekte bashkëpunimi brenda Creative Europe.