Po mbahet në Tiranë ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP), ku Shqipëria përmbyll me sukses presidencën. Ministri i Jashtëm, Igli Hasani në fjalën e tij hapëse, theksoi rolin aktiv të Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe në përshpejtimin e integrimit evropian.
Ministri Hasani nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi rajonal është një hap i domosdoshëm dhe plotësues për anëtarësimin e vendeve në BE.
“Mbetet platformë dhe hapësirë politike ku të gjithë kanë zë të barabartë dhe vizioni ynë politik për rajonin merr formë. Në fakt, gjatë viteve të fundit, bashkëpunimi ynë është bërë më kuptimplotë, strategjik dhe i harmonizuar me politikat e BE, përfshirë planin ekonomik dhe të investimeve, agjendën e gjelbër dhe planin e rritjes së BE. Është e qartë se bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësues për anëtarësimin në BE, por një hap i nevojshëm plotësues në drejtim të tij, ku krijojmë mundësi për tregtinë, thjeshtojmë lëvizshmërinë për qytetarët tanë, investojmë në energj, ndërlidhje dhe komunikim. Jo vetëm që përgatitemi për BE-në, por formësojmë jetë më të mirë.”, u shpreh Hasani.
Ministri u ndal edhe te bashkëpunimet rajonale të arritura deri më tani, ndërsa përsëriti ambicien e Shqipërisë për t’u integruar në BE brenda kësaj dekade. Anëtarësimi në Unionin evropian, theksoi ministri, është një objektiv rajonal dhe se "suksesi i fqinjëve tanë është sukses ynë".
“Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugëtimin e vet transformues. Agjenda jonë e reformave nxitet nga angazhimi ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Zgjerimi i BE nuk është vetëm një proces politik, por edhe një investim strategjik në stabilitet e paqe për Evropën. Me çeljen e grupkapitujve negociues, Shqipëria është në rrugën e duhur për të çuar përpara anëtarësimin. Synimi ynë është ambicioz por edhe i arritshëm për të çelur deri në fund të këtij viti dhe të përmbyllim negociatat deri në 2027. Po punojmë me vendosshmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade. Ky është objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë."
Komentoi gjithashtu edhe sulmet e fundit Iran-Izrael, teksa bëri thirrje për përmbajtje nga të dyja palët. Hasani u shpreh se Shqipëria mbështet të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur, por apeloi se edhe Irani do të duhet t'i përmbahet detyrimeve të saj dhe të ndalojë aktivitetet e tij bërthamore dhe me raketa balistike.
“Ne jemi të shqetësuar nga tensionet e përshkallëzura në Lindjen e Mesme, përballjet e fundit midis Izraelit dhe Iranit, që paraqesin rrezik serioz për stabilitetin më të gjerë rajonal me pasoja globale. Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe për të mbrojtur qytetarët e vet nga kërcënimet. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të të drejtës ndërkombëtare, përfshrë edhe traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore. Zhvillimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej. Shqipëria iu bën thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtjen maksimale dhe të angazhohen në përpjekje diplomatike në uljen e tensioneve dhe në një zgjidhje të qëndrueshme politike", shtoi Hasani.
SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë.
Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Komente
