Ministri Piro Vengu gjatë takimit me homologun amerikan Pete Hegseth

Politikë

Ministeriali në Bruksel, ministri Vengu takime me sekretarin e Mbrojtjes së SHBA, sekretarin e Përgjithshëm të NATO dhe homologët: Vëmendje strategjike në rajon

14 Shkurt, 10:51| Përditesimi: 14 Shkurt, 10:57

  • Share

Gjatë ministerialit të NATO në Bruksel, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, zhvilloi disa takime me homologët nga SHBA, Franca, Italia, Kroacia dhe Hungaria. 

Në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ushtarak, vëmendja strategjike për rajonin dhe çuarja përpara e projekteve të përbashkëta në Industrinë e Mbrojtjes dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

Takim i veçantë njoftohet nga dikasteri se ka qenë ai me sekretarin e ri të Mbrojtjes së SHBA, Pete Hegseth, të cilin ministri Vengu e uroi për detyrën e re. Dy zyrtarët e mbrojtjes ranë dakord për vijimin e ndërveprimit në nivelet më të larta për objektiva të përbashkëta.

“Gjatë këtij ministeriali, ministri Vengu u përshëndet gjithashtu me sekretarin e Përgjithshëm të NATO Mark Rutte, të cilin e vlerësoi për lidershipin e tij në drejtimin e Aleancës Euro-Atlantike në këto kohë sfiduese. Në bisedën me ministrin e Mbrojtjes së Francës Sébastien Lecornu bashkërenduan disa hapa në funksion të modernizimit të Forcave të Armatosura, me synim konkretizimin e projekteve në kohë sa më të shpejtë. Në takimin me zëvendëskryeministrin dhe ministrin kroat Ivan Anušić tha se ranë dakord për të forcuar më tej marrëdhëniet, me fokus të veçantë bashkëpunimin në Kosovë dhe sigurinë në rajonin Adriatik-Jonian”, theksohet në njoftimin zyrtar. 
Ministri Vengu e ftoi kolegun kroat për një vizitë në Tiranë.

Një takim është mbajtur edhe me ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, ku u diskutua mbi avancimin e projekteve për transformimin e kapaciteteve tona në tokë, ajër dhe det. 

"I bindur që shumë shpejt do kemi një sërë rezultatesh cilësore me impakt në hapësirën detare. Me kolegët italianë konvergojmë gjithashtu në rritjen e stërvitjeve, trajnimeve, edukimit", u shpreh ministri i Mbrojtjes.

“Një bisedë produktive, ministri Vengu e pati edhe me homologun hungarez, Kristof Szalay-Bobrovniczky, me të cilin trajtuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në Industrinë e Mbrojtjes, edukimin në fushën e mjekësisë dhe shkëmbimin e eksperiencave në siguri dhe mbrojtje, mbyllet njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?