Një propozim i anëtarëve të Bashkimit Evropian për të ndaluar vizat turistike për rusët për shkak të luftës në Ukrainë, duket se po përballet me pengesa të mëdha. Ministrat e BE-së do të takohen sot në Pragë të Republikës Çeke për të diskutuar për këtë propozim.
Franca dhe Gjermania kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pak kohë para takimit, duke thënë se çështja e kufizimit të vizave për rusët do të ishte kundërproduktive, teksa BE-ja po tenton të fitojë “zemrat dhe mendjet” e rusëve që nuk e mbështesin agresionin e paprovokuar të Moskës ndaj Ukrainës.
Çështja e ndalimit të vizave për rusët është aktualizuar ditëve të fundit nga disa shtete të BE-së, por për këtë çështje duhet një vendim unanim i të 27 shteteve anëtare, në mënyrë që të shndërrohet në sanksion të ri kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Ne duhet të mendojmë për mënyra të mençura për të përdorur këtë levë të rëndësishme, që është lëshimi i vizave”, u tha në deklaratën e përbashkët të Gjermanisë dhe Francës.
“Përderisa kufizojmë kontaktet me përfaqësuesit e regjimit dhe autoriteteve në tema të interesit vital të BE-së, ne duhet të luftojmë në mënyrë strategjike për të fituar zemrat dhe mendjet e popullatës ruse – të paktën e atyre segmenteve që nuk janë shkëputur krejtësisht nga Perëndimi”, thanë dy shtetet, duke sugjeruar se blloku duhet të vazhdojë të ofrojë viza për studentët, artistët, shkencëtarët dhe profesionistët e tjerë kyçë që duan të hyjnë në BE./REL
Lajmi kryesor:
Apeli i Ukrainës, BE diskutoi sot për ndalimin e hyrjes për turistët rusë! Gjermania dhe Franca kundërshtojnë ndalesën e vizave! Borrell: Nuk mund të merret asnjë vendim
D.GJ/ReportTv.al