Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor në një takim më 10 maj. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një ndër pikat kryesore të bisedimeve.
Në takimin, që do të kryesohet nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Lajçak pritet t’i informojë ministrat në lidhje me përgatitjet për një raund të ri të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të debatit për situatën në rajon, sipas njoftimeve të zyrtarëve në Bruksel, do të diskutohet “qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”. Debati nuk do të përqendrohet në procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit.
“Edhe pa diskutim, është e qartë se Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane. Ne do të merremi me politikën e jashtme [në atë takim]”, tha një zyrtar evropian.
Ai paralajmëroi se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë për ndikimin e vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor, sepse, siç tha, është e qartë se situata “ka ndryshuar dukshëm kur bëhet fjalë për ndikimin e jashtëm në vendet e rajonit”.
“BE nuk insiston në ekskluzivitetin e pranisë në rajon, por është e rëndësishme që BE të jetë e pranishme dhe të jetë një lojtare kryesore”, tha zyrtari evropian./ REL