Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka vijuar inspektimet në plazhet e bregdetit Jon. Edhe në bashkinë Himarë, pas aksioneve për lirimin e plazheve, hapësirat publike pothuasje janë dyfishuar.
E shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kryetari i Bashkisë së Himarës Vangjel Tavo, Kumbaro kërkoi bashkëpunimin e policisë kufitare për respektimin e rregullave të mjeteve të turizmit detar.
“Procesi i shpërndarjes së plazheve ka përfunduar dhe na duhet bashkëpunimi edhe i policisë bashkiake me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe strukturave të Policisë së Shtetit. Është bërë një aksion për pjesën e zaptimeve të plazheve në zonën e Potamit dhe Spillesë. Janë vendosur bovat si elementë të sigurisë dhe ndërkohë, angazhimi i policië kufitare është shumë i rëndësishëm për të garantuar sigurinë e jetës për ata të cilët përdorin aktivitete të turizmit detar me jet ski dhe me skafe”, tha ministrja Kumbaro.
Edhe gjatë inspektimit në plazhet e Himarës, ministrja kërkoi nga të gjithë administratorët e plazheve private të respektojnë distancën 2.5-3 metër buzë detit si hapësirë publike, si dhe koordinim mes bashkisë dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për mirëmbajtjen dhe pastrimin e plazheve publike: “Rritja e hapësirave publike rrit nga ana tjetër përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe pastrimin, kështu që dyfishimi i forcave 24 orë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe bashkisë, për të evaduar mbetjet është sfidë më e madhe”, u shpreh ministrja.
Më tej, ministrja Kumbaro kërkoi bashkëpunimin e Policisë së Shtetit për të lehtësuar trafikun në qarkullimin e automjeteve gjatë periudhës së pikut, veccanërisht gjatë fundjavave. Lidhur me planin e masave, të Policisë së Shtetit për sezonin turistik, ministri Hoxha tha:
“Këtë vit kemi shtuar forcat e policisë të cilët do të jenë të stacionuar në Vlorë dhe të gjithë bregdetin. Drejtoria e Policisë Vlorë është shtuar me 95 forca të reja policie të cilat do të jenë të shpërndarë sipas nevojave për monitorimin e plazheve. Në fokusin tonë të veçantë janë dhe mjetet e lundrimit të cilat ndonjëherë mbingarkohen.”
Kryetari i Bashkisë Vangjel Tavo, nga ana tjetër u shpreh se janë marrë të gjitha masat dhe është komunikuar me bizneset për lirimin e hapësirave, menaxhimin e mbetjeve dhe bashkia po bën përgatitjet e fundit për mobilimet e plazheve publike: “Për sa i përket plazheve publike, jemi gati në raportin 50 me 50%. Në plazhet publike të Himarës do të vendosim 250 çadra të bashkisë të cilat do të jenë falas për pushuesit”
Gjatë qëndrimit në Himarë, ministrja Kumbaro u takua edhe me pushues si dhe me biznese që kanë ‘beach bar’ për problemin e zhurmave në mjedis.
Komente
