Protesta në Venezuelë pas rezultatit të zgjedhjeve

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj

30 Korrik, 16:18| Përditesimi: 30 Korrik, 16:21

  • Share

Autoritetet maqedonase janë duke i shqyrtuar informatat e Zyrës së Prokurorit të Venezuelës se një sulm i dyshuar hakerësh pas natës së zgjedhjeve u krye nga Maqedonia e Veriut. Ministri maqedonas Andonovski kërkoi prova dhe tha se “shteti nuk do të lejohet të përfshihet në betejat e brendshme politike të regjimit autoritar”.

Prokurori i Përgjithshëm i Venezuelës, Tarek Saab, pretendoi se publikimi i rezultatit të zgjedhjeve u shty për shkak të një sulmi hakerësh në sistemin zgjedhor të Venezuelës nga Maqedonia e Veriut.

Ai tha se sulmi kibernetik ndaj sistemit të automatizuar të votimit të vendit arriti ta ngadalësojë procesin e numërimit të votave pas përfundimit të procesit zgjedhor. Megjithatë, Saab nuk dha më shumë hollësi, e as prova se si u vërtetua se sulmi erdhi nga Maqedonia e Veriut.

Ministri i Transformimit Digjital i Maqedonisë së Veriut, Stefan Andonovski, tha për Radion Evropa e Lirë se “kemi të bëjmë me një regjim socialist, i cili ka publikuar informata pa u mbështetur në prova për shumë vite dhe i ka fajësuar shtetet të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi në raste të tilla”.

Ai tha se shpreson se Qeveria e Venezuelës do të ketë dëshmi të duhura.

Kjo nuk është hera e parë që Maqedonia e Veriut është në kryetitujt e mediave botërore lidhur me zgjedhjet në një vend tjetër.

Tetë vjet më parë, në mediat botërore dhe vendase, Maqedonia e Veriut u bë e njohur për shkak të Velesit, i cili u akuzua për krijimin e lajmeve të rreme gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara më 2016.

Velesi - me pak më shumë se 45.000 banorë - u bë i famshëm para zgjedhjeve amerikane, kur mediat botërore zbuluan se në këtë qytet ishin krijuar më shumë se 100 ueb-faqe politike, të cilat përhapnin lajme të rreme dhe favorizonin politikën e Donald Trumpit.

Ndërkohë, beteja presidenciale në Venezuela u zhvillua mes Nicolas Maduros , i cili është në pushtet që 11 vjet, dhe kandidatit të opozitës Edmundo Gonzalez Urrutia.

Që të dy deklaruan publikisht fitoren në zgjedhjet e tensionuara gjatë fundjavës, të cilat u pasuan nga protesta të dhunshme dhe arrestime.

Derisa dyshimet për rezultatin zyrtar u shprehën nga Shtetet e Bashkuara dhe një sërë vendesh të Amerikës Latine, Maduro u urua, ndër të tjera, nga Kina, Rusia dhe Kuba./ REL

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?