Tiranë- Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Kuvajtit, me rastin e 64-vjetorit të Pavarësisë dhe 34-vjetorit të Çlirimit.
Gjatë bisedës me të ngarkuarin me punë të Kuvajtit në Shqipëri Adnan Alghunaim, ministri Balla vlerësoi se dy vendet ndajnë një miqësi të konsoliduar ndër vite, e cila ka sjellë bashkëpunim të frytshëm në fusha të ndryshme.
"Mbetemi të angazhuar për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe, duke inkurajuar shkëmbimet ekonomike dhe institucionale mes dy vendeve tona në energji, infrastrukturë, bujqësi, digjitalizim etj.", deklaroi ai.
Festat kombëtare të këtij shteti në Lindjen e Mesme datojnë më 25 dhe 26 shkurt, kur kuvajtianët përkujtojnë së pari shpalljen e mëvetësisë nga protektorati britanik 64 vjet më parë.
Pavarësia u shpall më 19 qershor 1961, por për shkak të temperaturave të lartë, së bashku me festën e ngjitjes në fron të Sheikh Abdullah Al-Salem Al-Sabah më 1950, emiri i parë i Kuvajtit pas shpalljes së pavarësisë, festimet u zhvendosën në 25 shkurt.
Ndërsa një ditë më pas përkujtohet fundi i Luftës së Gjirit dhe çlirimi i Kuvajtit nga Iraku me mbështetjen amerikane, në 26 shkurt të vitit 1991.
Komente
