Balla në Rrëshen

Ministri Balla takim me strukturat policisë në Rrëshen: Rrisni kontrollet në territor

6 Tetor 2023, 17:50| Përditesimi: 6 Tetor 2023, 18:57

  • Share

Pas ristrukturimit të strukturave drejtuesve të Policisë në Mirditë, pasojë e ngjarjeve të fundit ndodhur në këtë qytet, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku zhvilluan një takimin me punonjës të Komisariatit. Balla kërkoi rritje të kontrolleve në territor, duke e konsideruar flagrant anashkalimin e ligjit dhe rolin e policisë në ngjarjen e fundit në qendër të Rrëshenit.

“Duhet ta garantoj popullin e nderuar të kësaj bashkie dhe të këtij qyteti, të Rrëshenit, i cili edhe në vite të vështira si viti 1997, ka dëshmuar qytetari, vetëpërmbajtje, besim te ligji dhe te shteti, ne duhet që të garantojmë që jeta e çdo qytetari dhe çdo banori të jetë e sigurt”, tha ministri.

Ai tha se do të ketë prezencë të shtuar të Policisë së Shtetit në Rrëshen, në mënyrë që të përmbushet ky angazhim. Më tej, Balla shtoi se për vitin 2024 për punonjësit e Policisë pritet të ketë rritje page.

“Shpresoj shumë që me buxhetin e ri të vitit 2024, të mundësojmë një rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Jam shumë i bindur që me këtë prezencë të rinjsh në këtë komisariat, me djem e vajza që kanë marrë përsipër, pa i hequr asnjë vlerë atyre që janë pak në moshë, të bëjmë ndryshimin që mezi pret populli i Mirditës. Kushdo nga ju që do ta bëjë detyrën si duhet, të jeni të sigurt që do të marrë vlerësimin tim maksimal. Por kush nga ju do vazhdojë me modelin e vjetër të mbylljes së syrit apo të veshëve, të kthimit të kokës nga krahu tjetër kur në krahun tjetër të rrugës ndodh një problematikë apo shfaqet një ‘i fortë’, duhet ta ndajë mendjen mirë dhe të na japë dorën sot, e të ikë. O do i shkojmë kësaj gjëje bashkë deri në fund, ose kush nuk ka dëshirë, le ta lërë që sot”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

Si ndodhi vrasja e Martin Bardhit
I sapodalë nga burgu, Martin Bardhi (Marku) u vra në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, nga një atentat mafioz që i mori jetën 59-vjeçarit. Ai ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit bashkë me tre të afërm të tij, Oltion Gjini, Ilir Bardhoku, Indrit Bardhi të cilët mbeten të plagosur nga breshëria e kallashnikovit. Në atentat kanë marrë pjesë dy autorë të maskuar.  Makina tip fuoristradë ngjyre e zezë e përdorur në ngjarje, rezulton të ketë patur targa të falsifikuara, ndërsa dy autorët dyshohet të kenë bashkëpunuar edhe me persona të tjerë për të kryer krimin.  Martin Bardhi ishte një person me precedent kriminal. Më 26 Mars të këtij viti u konfliktua me nipin e Kastriot Reçit, Saimirin. Vetëm një muaj më parë ai kishte lënë qelinë e paraburgimit, pasi gjykata me kërkesë të prokurorisë zbuti masën e sigurisë. Një muaj u ka mjaftuar autorëve për të realizuar planin e ekzekutimit.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?