Taulant Balla vizitë në bazën ushtarake të NATO-s në Letoni

Politikë

Ministri Balla viziton bazën e NATO-s në Letoni: Mirënjohje për kontributin e ushtarakëve shqiptarë në misionin strategjik

9 Qershor, 15:44| Përditesimi: 9 Qershor, 15:47

  • Share

Ministri i Shtetit, Taulant Balla, zhvilloi një vizitë zyrtare në bazën ushtarake të NATO-s në Ādaži, Letoni, ku ndodhen të dislokuara edhe trupa nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Balla mori pjesë në ceremoninë e nderimit të dy dëshmorëve të atdheut Major Klodian Tanushi dhe Nëntetar Zarife Hasanaj të rënë në krye të detyrës në një mision ndërkombëtar më 6 Maj 2019.

"Sakrifica e tyre është simbol i guximit dhe devotshmërisë së ushtarakëve shqiptarë, që shërbejnë me nder brenda dhe jashtë vendit. Ata do të mbeten gjithmonë të paharruar për sakrificën e tyre. Edhe një herë, respekt dhe mirënjohje për secilin prej jush dhe për familjet tuaja, të cilat e ndjejnë më shumë sesa kushdo tjetër vështirësinë dhe sakrificën e detyrës ushtarake” u tha Balla pjesëtarëve të misionit shqiptar.

Gjatë kësaj vizite të Ballës në cilësinë e Ministrit të Shtetit i cili është edhe pika kombëtare e kontaktit të NATO-s për Qëndrueshmërinë, shprehu krenarinë dhe mirënjohjen e thellë për kontributin e ushtarakëve shqiptarë në këtë mision të rëndësishëm të Aleancës. 

“Ju sjell përqafimin nga Shqipëria dhe mirënjohjen e qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar për kontributin tuaj këtu. Ju na nderoni me praninë tuaj në një mision të përbashkët të NATO-s, në një vend aleat si Letonia, me një pozicion tepër të rëndësishëm gjeostrategjik, sidomos në kushtet e reja të sigurisë pas agresionit rus në Ukrainë”, u shpreh ministri Balla gjatë fjalës së tij para trupave shqiptare në Adazi. 

Gjatë vizitës në bazë, ministri u takua me Shefin e Shtabit të Brigadës "MNBDE LVA", Brigada Shumëkombëshe në Letoni, Lejtenant Kolonel Philippe Tremblay, i cili i shprehu Ballës vlerësimet më të larta për ushtarakët tanë dhe rolin e tyre profesional në këtë mision.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar në zbatimin e vendimeve të Aleancës për përshtatjen e Aleancës me realitetin e ri të sigurisë, duke përfshirë miratimin e planeve të detajuara për fuqizimin e mbrojtjes, si dhe zotimin e ri të investimeve në këtë fushë”, tha Balla. 

Baza ushtarake Ādaži, një nga pikat kyçe të mbrojtjes së NATO-s në Balltik, strehon Brigadën Shumëkombëshe të Forcave të Përparuara të NATO-s (EFP), një strukturë e krijuar si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë nga Rusia. Kjo brigadë përfshin trupa nga vende të ndryshme anëtare të NATO-s si Kanadaja, Danimarka, Spanja, Italia, Polonia, Sllovakia, Çekia, Shqipëria dhe të tjerë. 

Toga Shqiptare e EOD-së në Letoni ka një rol të specializuar në asgjësimin e municioneve të pashpërthyera, minave dhe pajisjeve të improvizuara shpërthyese, duke kontribuar në sigurinë e përgjithshme të trupave dhe komunitetit përreth. 

Vendosja e trupave shqiptare në një nga zonat më kritike të sigurisë në Evropë thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe besnikërinë ndaj vlerave të përbashkëta të Aleancës.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si iu duket situata e trafikut në vend?