Ministri Balla viziton ekspozitën e shkollave 9-vjeçare të Tiranës që lidhen me rrezikun e përdorimit të lëndëve narkotike, alkoolit dhe akteve të dhunës e bullizmit

30 Mars, 11:03| Përditesimi: 30 Mars, 14:44

  • Share

Në 200 ditët e para të operacionit kombëtar kundër shpërndarësve të narkotikëve janë vënë në pranga rreth 1,100 persona të implikuar.

“Falënderoj të gjithë djemtë e vajzat që këtë 200-ditësh të Paketës së Sigurisë në Shkolla, ta kurorëzojmë sot me këtë ekspozitë e cila është shumë domethënëse, sepse fenomenet për të cilat po flasim, janë prezantuar me mendjen dhe këndvështrimin e të rinjve,” u shpreh Ministri i Brendshëm Taulant Balla në ekspozitën e hapur në Liceun Artistik "Jordan Misja", me punime artistike të nxënësve të shkollave 9-vjeçare që trajtojnë tematika të ndryshme, lidhur me rrezikun e përdorimit të lëndëve narkotike, alkoolit dhe akteve të dhunës e bullizmit.

Ministri mori pjesë në këtë event së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit,  Drejtorin e DVP Tiranë Tonin Vocaj e me këtë rast, u bënë publike të dhëna të këtij aksioni të madh, i cili zhvillohet në e përreth ambienteve të shkollave në vend.

“Unë mund të ndaj me ju faktin që falë punës së Policisë, rreth 1100 shpërndarës lëndësh narkotike nuk janë më qarkullim. Dhe kjo është një arritje e madhe, po të kemi parasysh kohën e shkurtër,” nënvizoi Ministri.

Ekspozita është hapur në ambientet e Liceut Artistik në kryeqytet dhe nxënësit përmes piktuarave përçuan mesazhe të fuqishme kundër fenomeneve të rrezikshme të tilla si konsumimi i lëndëve narkotike, drogave sintetike, alkoolit, duhanit si edhe dhunës e bullizmit.

Duke folur rreth angazhimit të trupave policore në ambietet shkollore, Balla theksoi se "kjo ka qenë një sipërmarrje e vështirë për një forcë policie me rreth 10 mijë trupa që të garantojë prezencë të vetën, në mëngjes, kur mbërrijnë fëmijët, gjatë pushimit të drekës dhe kur largohen fëmijët, në të gjitha shkollat e vendit.”

Ai falënderoi institucionet e tjera të angazhuara në zbatimin e Paketës së sigurisë në shkolla, si Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Bujqësisë, përmes AKU-së, Ministrinë e Shëndetësisë që aktivizohet përmes ISHSH dhe pushtetit lokal, të cilët kanë dhënë ndihmesën e tyre të vyer për realizimin me sukses të paketës në këto 200 ditë të para.

Sa i përket trajtimit të dhunës online, Balla bëri me dije se po punohet për të patur edhe një paketë, e cila të ketë në vëmendjen e saj shërbimet dixhitale, problematikat që vijnë nga dhuna online në rrjetet sociale.

"Ne po forcojmë kapacitetet tona të njësive tona të krimeve kibernetike me qëllim që ankesa e çdo qytetari të marrë përgjigje. Ne mund ta fitojmë këtë betejë, - tha Ministri i Brendshëm - nëse bëhemi të gjithë bashkë, për të denoncuar çdo rast, së pari në vetë aplikacionin ku kryhen. Ne thirrëm në Shqipëri drejtuesit më të lartë të TikTok, të cilëve ua bëmë të qartë se do të jemi shumë të ashpër, nëse nuk marrin masa sa i përket kontrollit të kontentit të çdo lloj materiali që është dhunë. Përmirësimet e ligjit që do të bëjmë, do ta pamundësojnë që ata të ofrojnë shërbim në Shqipëri, nëse brenda një kohe që kemi vendosur, ata të mos kenë rregulluar kushtëzimet e çdo lloj përmbajtjeje të palejuar!"

Balla theksoi gjithashtu se duhet të garantojmë një nivel sigurie ku asnjë lloj alkooli të mos shitet te ata që janë nën 18 vjeç, mos përdorimin e duhanit nën 18 vjeç.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?