Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë Robert Habeck tha të shtunën se ishte informuar nga komisioneri i BE-së Valdis Dombrovskis se do të kishte bisedime konkrete për tarifat me Kinën.
Konfirmimi erdhi pasi ministria e Tregtisë së Kinës tha se kreu i saj Wang Wentao dhe zoti Dombrovskis, nënkryetar ekzekutiv i Komisionit Evropian, kishin rënë dakord të fillonin konsultimet mbi hetimin e BE-së ndaj dyshimeve se qeveria e Kinës po subvencionon kompanitë kineze të prodhimit të makinave elektrike, të cilat po operojnë në Evropë.
Zoti Habeck tha në Shangai se qëllimi i hetimit është krijimi i kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e makinave elektrike. Është mirë të jemi të orientuar drejt eksportit, por për këtë nuk duhet të përdoren subvencionet, tha ai.
Vizita e zotit Habeck është e para e një zyrtari të lartë evropian që kur Brukseli vendosi tarifa me vlerë 38.1 për qind ndaj importit të makinave elektrike kineze për të luftuar subvencionet e tepruara të kompanive kineze nga qeveria në Pekin.
Ministri gjerman i ekonomisë Habeck tha se ka kohë për dialogun mes BE-së dhe Kinës mbi çështjen e tarifave para se vendimi i Brukselit mbi importin e makinave elektrike kineze të hyjë plotësisht në fuqi në muajin nëntor.
Një çështje tjetër tensionuese mes Pekinit dhe Berlinit është mbështetja e Kinës për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës. Zoti Habeck vuri në dukje se tregtia mes Kinës dhe Rusisë është rritur me 40 për qind vitin e kaluar.
Tarifat e përkohshme të Bashkimit Evropian mbi importet kineze të makinave elektrike do të hyjë në fuqi më 4 korrik, por hetimi ndaj subvencioneve të kompanive kineze të makinave, që operojnë në Evropë, do të vazhdojë deri më 2 nëntor, kur mund të vendoset për të lënë në fuqi për pesë vjet tarifat ndaj kompanive kineze.
Udhëheqësit e Kinës kanë ndihmuar që vendi të bëhet një nga tregjet më të mëdha të makinave, duke investuar miliarda dollarë në subvencione për të krijuar një avantazh të hershëm në industrinë e prodhimit të makinave elektrike.
Prodhuesit globalë të makinave po përballen me një konkurrencë në rritje në rajonet e tyre nga kompanitë kineze, të cilat kanë rritur eksportet e makinave elektrike për shkak të rënies së kërkesave në Kinë.
Zyrtarët e Bashkimit Evropianë besojnë se automjetet elektrike kineze po ulin çmimet e modeleve vendase me rreth 20 për qind në tregun evropian, duke rritur trysninë mbi kompanitë evropiane për të prodhuar automjete elektrike me kosto më të ulët.
Kina i ka quajtur më parë shqetësimet perëndimore për subvencionet e kompanive elektrike "të pabaza" dhe ka pohuar se suksesi i vendit në tregun ndërkombëtar është arritur falë novacionit./ VOA