Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mikpriti sot homologun çek, Jan Lipavský.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Hasani e vuri theksin në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve. Hasani gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen që Republika Çeke ka ofruar për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE.
“Dëshiroj të theksoj nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke, si dhe të theksoj rëndësinë e dialogut të hapur dhe të sinqertë politik që zhvillojmë çdo ditë.
Gjithashtu, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e pakursyer që Republika Çeke ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë për Shqipërinë në procesin tonë të integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Hasani.
Më tej ai shtoi se bisedimet u përqendruan natyrshëm në fushat e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë ekonominë, mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe në zhvillimet e fundit në turizëm, arsim, kulturë dhe sektorëve të tjerë të interesit të ndërsjellë.
“U përmendën gjithashtu angazhimet dhe prioritetet e përbashkëta në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ku të dy vendet tona janë anëtare, dhe u diskutuan edhe dinamikat e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Një fakt i veçantë që dua të ndaj sot është rritja e konsiderueshme e turizmit ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Çeke. Gjatë vitit të kaluar, mbi 110,000 turistë çekë vizituan Shqipërinë, që përbën një rritje prej 58% krahasuar me vitin 2023 dhe katër herë më shumë se në vitin 2019-të, para pandemisë. Ky trend është një dëshmi e suksesit të bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe një tregues i interesit të përbashkët për promovimin e Shqipërisë si një destinacion i kërkuar turistik dhe kulturor në Evropë.
Pa dyshim që një pjesë e rëndësishme e diskutimeve tona ishte dhe ecuria e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Dëshiroj të theksoj se Shqipëria i nisi negociatat për anëtarësim në BE në korrik të vitit 2022, gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian. Ky është një moment historik për Shqipërinë, dhe në këtë kuadër, Ministri Lipavský rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Çekisë në këtë proces, duke na ofruar asistencën dhe ekspertizën e nevojshme”, tha Hasani.
Në fund Hasani theksoi edhe mbështetjen e vendit tonë ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë.
“Për sa i përket agresionit rus ndaj Ukrainës, ne ritheksuam përkrahjen tonë të palëkundur për popullin ukrainas në luftën e drejtë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Mbështetja jonë, si dy vende anëtare të NATO-s, do të vazhdojë e pandërprerë deri në arritjen e një paqeje të qëndrueshme, e cila do t'i ofrojë Ukrainës mundësinë për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme në bashkësinë e vendeve demokratike”, përfundoi Ministri.
Komente
