Ministri Igli Hasani në Forumin e Dubrovnikut

Politikë
Kosova & Rajoni

Ministri Hasani në Forumin e Dubrovnikut: Ballkani Perëndimor jo periferi e kontinentit, por pjesë e thelbit strategjik të Europës!

12 Korrik, 19:10| Përditesimi: 12 Korrik, 19:19

  • Share

Shqipëria po përfaqësohet në Forumin e Dubrovnikut 2025, në Kroaci.

I pranishëm atje si pjesëmarrës nga vendi ynë është ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.

Ai përcolli një mesazh të qartë dhe të vendosur: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit – ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës.

Në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë, përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën, ministri Hasani theksoi se në kohë pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë zgjedhje, por janë domosdoshmëri.

“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë, është kontribuuese. Nuk presim, por ecim përpara”, tha ai.

Ministri Hasani nënvizoi se Shqipëria ka hapur katër grupkapituj negociues – përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm – dhe se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.

Ai paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen nga aktorë autoritarë, duke mirëpritur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar integrimin.

“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen europiane", tha mes të tjerash ministri shqiptar.

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?