Igli Hasani

Politikë

Ministri Hasani: Zgjerimi i BE-së duhet të jetë prioritet, garanton të ardhmen e përbashkët kundër kërcënimeve hibride

8 Maj, 17:01| Përditesimi: 8 Maj, 17:04

  • Share

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë sot në Drekën Informale të Punës me Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ministrat e Jashtëm të Vendeve Kandidate dhe Potencialisht Kandidate për anëtarësim në BE, e zhvilluar në kuadër të Takimit Informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së.  

Në fokus të këtij takimi ishte shkëmbimi i mendimeve mbi sfidat aktuale gjeopolitike dhe nevoja për forcimin e qëndrueshmërisë kolektive ndaj kërcënimeve hibride.  

Ministri Hasani rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, si dhe ndau me të pranishmit disa prej hapave të deritanishme të ndërmarra nga vendi ynë kundër kërcënimeve hibride dhe në linjëzim të plotë me kuadrin e BE-së dhe NATO-s.

Ai përmendi miratimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Sigurinë Kibernetike, përafrimin me rregulloret e BE-së për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike deri në vitin 2026, si dhe zbatimin e legjislacionit sekondar sipas Ligjit për Sigurinë Kibernetike deri në vitin 2025. Anëtarësimi i Shqipërisë në Qendrën Evropiane të Ekselencës për Kundërvënien ndaj Kërcënimeve Hibride në Helsinki, si anëtari i 36-të, u theksua si një hap i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira. 

“Asnjë vend nuk është imun ndaj kërcënimeve hibride, prandaj duhet të qëndrojmë vigjilent dhe të punojmë ngushtësisht nga afër.” – nënvizoi Ministri Hasani, duke shtuar që vendi ynë është gati gjithashtu të kontribuojë për ndërtimin e një kuadri rajonal bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nën ombrellën e BE-së, në mënyrë që të adresohen dezinformimi dhe kërcënimet hibride. 

Ndër të tjera, Ministri Hasani theksoi se zgjerimi i BE-së duhet të jetë një prioritet kryesor, pasi garanton të ardhmen tonë të përbashkët kundër kërcënimeve të tilla duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e unitetit të Evropës. 

Gjatë takimeve të shpejta me homologë të ndryshëm nga BE-ja, Ministri Hasani shfrytëzoi mundësinë për të përcjellë edhe mirënjohjen ndaj qëndrimit të përbashkët të Këshillit të BE-së për Grup-Kapitullin e 3-të për "Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Gjithëpërfshirëse", i cili do të çelet zyrtarisht në Konferencën e 5-të Ndërqeveritare në Bruksel më 22 Maj 2025.

Ai ka theksuar se angazhimi i Shqipërisë për integrimin në BE mbetet i palëkundur dhe i pandërprerë, dhe se puna jonë vazhdon me fokus dhe vendosmëri për të avancuar procesin e anëtarësimit.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?