Këtë vit në Akademinë e Policisë së Shtetit do të regjistrohen 150 studentë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, 50 më shumë se vitin e kaluar kur programi i veçantë u hap për herë të parë.
"Këtë vit, pas një procesi të hapur dhe konkurrues, 150 të rinj e të reja do të kenë mundësinë të përzgjidhen dhe të nisin formimin e tyre për t’u bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit. Për këtë arsye, i nxis të gjithë maturantët që e kanë të fortë idealin e shërbimit publik, që kanë vullnet për të kontribuar në rritjen e sigurisë në komunitet, të përfshijnë Akademinë e Sigurisë në preferencat e tyre dhe të garojnë me besim", tha Hoxha.
Gjatë një vizite në Akademinë e Sigurisë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se shkolla ofron një karrierë të qëndrueshme në shërbim të vendit.
"Shkolla e Policisë ofron një formim cilësor, modern dhe të përputhshëm me standardet europiane të sigurisë publike. Ajo nuk është thjesht një shkollë, por është një derë që hapet drejt një karriere të qëndrueshme në shërbim të vendit dhe qytetarëve", tha Hoxha.
Vitin e kaluar, të gjitha kuotat e studimit u plotësuan, duke treguar interes të lartë mes të rinjve për t’u bërë pjesë e uniformave blu, ndërsa Policia e Shtetit synon që vit pas viti të ketë një shtim të kuotave.
Komente
