Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mblodhi sot (7 Shkurt) në Gjirokastër të gjithë prefektët e qarqeve në një takim me tematikë përgatitjen për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit dhe marrjen e masave për mbarëvajtjen e procesit.
Kreu i dikasterit u njoh me masat e deritanishme dhe detaje që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e strukturave të përfshira në këtë proces. Pas mbledhjes, Ministri Hoxha ka bërë një prononcim për gazetarët, ku shpjegoi edhe disa nga diskutimet dhe detyrat e lëna në takim.
“Sot, në vijim të takimeve që neve kemi periodikisht me Prefektët e Qarkut, kemi bërë një takim në Gjirokastër, ku kemi biseduar për të gjitha masat e marra dhe koordinimin për përgatitjen dhe ngritjen e infrastrukturës për zgjedhjet e 11 Majit. Kemi diskutuar në detaje të gjitha përgjegjësitë që Prefektët e Qarqeve duhet të marrin në zbatim të ligjit, si dhe Kodit Zgjedhor. Aktualisht janë hartuar të gjithë planet e masave. Prefektët e qarqeve në bashkëpunim me bashkitë, Policinë e Shtetit do të jenë në gjendje për të ngritur infrastrukturën dhe planifikuar në mënyrë të rregullt zgjedhjet e 11 majit 2025.
Aktualisht kemi rreth 100 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë regjistruar në platformën e KQZ për zgjedhjet e 11 majit”, u shpreh ministri.
Pyetjes në lidhje me problematikën e votës së Diasporës dhe diskutimeve e mosmarrëveshjeve të partive të mëdha për procesin, ai iu përgjigj:
“Përsa i përket votës së Diasporës, qeveria shqiptare miratoi projektvendimin ditën e mërkurë (të shkuar), ku të gjithë shtetasve shqiptarë të cilëve u kishte përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e 11 majit. Kjo vlefshmëri është zgjatur deri në datën 31 maj 2025”.
Aktualisht PS-PD kanë hyrë në diskutime pas kërkesës së demokratëve që të votojnë edhe emigrantët që nuk kanë fare dokumente shqiptare.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)