Ministri Ervin Hoxha duke prezantuar drejtuesen e re të AAPSK

Ministri Hoxha prezanton Kryeadministratoren e re të AAPSK: Goditje në pikën më nevralgjike të krimit, pronat dhe paranë!

4 Tetor, 12:32| Përditesimi: 4 Tetor, 12:38

  • Share

Tiranë- Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, prezantoi sot Kryeadministratoren e re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja.

Vetë kreu i dikasterit e konfirmoi lajmin me anë të një postimi në rrjetin social.

"E nisëm ditën sot me prezantimin e Kryeadministratores së re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, e cila vjen nga një përvojë e gjatë në administratë”, tha Hoxha.

Teksa vlerësoi edhe punën disamujore të Idriz Haxhiajt, në drejtimin e AAPSK, si Kryeadministrator i komanduar, ai shtoi rëndësinë e kësaj njësie në luftën ndaj krimit dhe goditjen në pikën e tij më të dobët, paranë.

“Disa nga rezultatet e dy viteve të fundit, - me shifra që ndonjëherë kapërcejnë në dyfishim, - dëshmojnë seriozitetin e punës së kryer deri më sot. Tashmë, me emërimin e Kryeadministratores së re kërkojmë që këtë punë të mirë, të kryer deri tani, ta ngremë në një shkallë edhe më të lartë veprimi, me një ritëm të ri e më të shpejtë. Agjencia është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm për luftën kundër krimit, përmes miradministrimit të të ardhurave të paligjshme, si goditje e krimit të organizuar në pikën më nevralgjike, që është paraja”, shkruan ministri i Brendshëm.

Më tej ai siguroi mbështetjen e plotë për Kryeadministratoren e re, “për çdo problematikë të mbartur apo ato që dalin rrugës”.

Hoxha e mbylli postimin me një informim në lidhje me një nismë ligjore:

“Dua të informoj edhe publikun, se është duke u finalizuar dhe do të dërgohet për miratim nisma ligjore për rikuperimin e aseteve. Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ZRA) është projektuar si një njësi proaktive pranë Policisë, sipas modelit të disa vendeve evropiane. Kjo njësi, ndryshe nga AAPSK, do të përdorë inteligjencën policore për të ndjekur paranë apo prona me burim të dyshimtë”.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?