Lufta/ 351 refugjatë ukrainas të strehuar deri më tani në Shqipëri! Inxhinieri bërthamor nga Kievi: Kërkoj punë në Vlorë

16 Mars 2022, 14:42| Përditesimi: 16 Mars 2022, 16:56

  • Share

TIRANË - 351 shtetas nga Ukraina ndodhen tashmë në vendin tonë që pas nisjes së luftës. Shifrën e konfirmon ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili sot zhvilloi një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov. 

“Pata sot një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, të cilin e garantova për mbështetjen e Shqipërisë për shtetasit e Ukrainës që kanë ardhur në vendin tonë apo që mund të mbërrijnë në të ardhmen për shkak të luftës. Aktualisht në Shqipëri po qëndrojnë 351 shtetas nga Ukraina, të cilët do të trajtohen me mbrojtje të përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin duke u vlerësuar rast pas rasti sipas nevojës. Të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratojmë në vijim nëse është e nevojshme, për t’ju gjendur pranë atyre që largohen nga konflikti”, shprehet ministri Çuçi.

Në vijim të takimit ai theksoi edhe njëherë qasjen solidare të Shqipërisë për njerëzit që largohen nga vendi i tyre për shkak të konfliktit.

“Shqipëria është një shembull shumë domethënës kur është fjala te solidariteti dhe pritja e njerëzve në nevojë. E dëshmuam këtë edhe së fundi me afganët që strehuam në vendin tonë dhe po kështu do të bashkërendojmë përpjekjet me vende të tjera të BE-së për t’ju gjendur pranë popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira”, shprehet Ministri i Brendshëm. 

Njëri prej tyre është Ivan Shevchenko. Inxhinieri bërthamor është larguar nga Kievi dhe tashmë ndodhet në Vlorë bashkë me prindërit dhe dajën.

"Kemi udhëtuar nga data 5 deri më 10 mars tani më duhet të gjej një punë dhe të siguroj të ardhura. Dua të falenderoj shqiptarët, miqtë e mi vlonjat që i kam njohur gjatë pushimeve të viteve të shkuara", tha ai.

Ai thotë se ka qenë insistimi i nënës së tij për t'u larguar nga vatra e luftës, dhe po kërkon punë në qytetin bregdetar.

"Unë punoj në Ukraine, jam inxhinier bërthamor. Mamaja ime është sipërmarrëse, dhe daja gjithashtu. Shokët e mi janë në Kiev edhe unë doja të qëndroja, por nëna ime nuk largohej pa mua. Situata është mjafton e vështirë, shtëpi të shkatërruar e njerëz që humbasin jetën çdo ditë", tha ai.

Shtetasit e Ukrainës që largohen nga vendi i tyre mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë për një periudhë 1-vjeçare pa qenë nevoja të pajisen me leje qëndrimi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?