Jo vetëm në luftë me flakët, por zjarrfikësit do të duhet të kenë një rol të shtuar në misionet e kërkim-shpëtimit. Për ministrin e brendshëm Taulant Balla, me bumin turistik të cilin po përballet Shqipëria vit pas viti, shërbimi zjarrfikës duhet të jetë në krah të policisë së shtetit edhe në këtë drejtim.
Balla tha se se i ka kërkuar Shërbimit të Mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit që bashkëpunim me IKMT të zhvillojnë kontrolle pranë qendrave tregtare dhe hoteleve për verifikimin të gjitha standardeve dhe gatishmërisë ndaj zjarrit.
“Për këtë qëllim i kam kërkuar dhe Inspektoriat Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) të bashkëveprojë me pushtetin lokal për të verifikuar respektimin e të gjitha standardeve dhe gatishmërinë e bizneseve, me fokus të veçantë tek qendrat tregtare, nëse ato i kanë të gjitha standardet për mbrojtjen kundër zjarrit. Po ashtu, duke qenë se po vjen sezoni turistik, ne s’duhet të kontrollojmë hotelet në korrik e gusht, nëse i përmbushin kriteret e përcaktuara me ligj në shërbimin e mbrojtjes kundër zjarrit, por duhet ta bëjmë këtë verifikim tani. Prandaj kemi nisur prej datës 3 janar dhe shumë shpejt do të kemi një raport për gjendjen e secilit prej këtyre njësive pritëse”, tha Balla.
Në ceremoninë e dorëzimit të 3 automjeteve të reja të shërbimit zjarrfikës të financuara nga qeveria e Polonisë, përmes Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara për bashkitë Lezhë, Fier dhe Pogradec, Balla foli edhe një reformë në shërbimin zjarrfikës si në teknologji ashtu edhe në procesin e rekrutimit.
“Mbi bazën e mësimeve të nxjerra nga ngjarjet e fundit, Tiranë, Fier, Lushnjë, na duhet që të gjitha palët e përfshira, përfshirë dhe pushtetin vendor, të punojnë për unifikimin e inspektimit të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit, me qëllim që të rrisim dhe garantojmë sigurinë publike në shkallë vendi”, tha Balla.
Nga programi në tërësi kanë përfituar 10 bashki respektive, me në total 350 zjarrfikës të cilët përfitojnë pajisje dhe trajnime, 2 stacione të reja, 3 automjete të standardit më të mirë europian, sete uniformash profesionale si dhe kontenierë me pajisje kërkim shpëtimi në raste fatkeqësish natyre apo aksidentesh të ndryshme.
Sh mirë!..E Përgëzoj Ministrin për punën,por mendoj që duhet një Remont(rindertimi) : i Godinave edhe Hapsirave të Zjarrfikësit edhe Komisariatit të Policisë në Qytetin Studenti ,në rrugën Pjetër Budi në Tiranë!
Përgjigju