Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti sot në një takim kreun britanik të Komandës për Sigurinë Kufitare për Ballkanin Perëndimor, Tony Buswell, me të cilin zhvilloi një bisedë, të cilën e vlerësoi si mjaft të frytshme dhe me interes për të palët.
Përfaqësuesi i autoritetit britanik shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë Nicholas Abbott.
Komanda e Sigurisë Kufitare është Njësi e krijuar së fundmi në Ministrinë e Brendshme në Angli, me detyrë sigurimin e kufijve përmes kontrollit të emigracionit ilegal dhe doganave.
Ministri Hoxha ka kërkuar që të zgjerojnë hapësirat e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të ndryshme, përmes ngritjes së skuadrave të përbashkëta.
“Bazuar mbi protokollet e nënshkruara mes dy palëve, theksova se kemi dhe jemi në kërkim të hapësirave të tjera për të zgjeruar bashkëpunimin përmes skuadrave hetimore të përbashkëta,” u shpreh Ministri, në një postim në rrjete sociale.
Bashkëpunimi i derisotëm me autoritetet britanike është mjaft efikas dhe vlerësohet si një histori suksesi.
“Bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe britanike për parandalimin e migracionit të paligjshëm po rezulton shumë pozitiv, duke ulur ndjeshëm hyrjet ilegale të shqiptarëve në Angli. Operacioni “Marewood” është një histori suksesi, në përmirësimin e bashkëpunimit operativ ndërmjet forcave të zbatimit të ligjit.
Ky bashkëpunim është thelluar përmes funksionimit të Task Forcës së përbashkët, pjesë e së cilës është edhe Kosova, e synimi është të zgjerohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor,” shtoi Ministri Hoxha.
Komente
