Kanadaja do jetë në një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e parashikueshme, tha të enjten kryeministri Justin Trudeau, duke folur pak përpara se Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, ta quante atë “një kokëbosh”.
Trudeau tha se Kanadaja do vijojë të angazhohet me zyrtarë të lartë të administratës Trump për tarifat që Uashingtoni thotë se do vendosë mbi importet kanadeze, duke përsëritur se qëllimi i tij ishte të hiqte masat.
“Unë mund të konfirmoj se ne do vijojmë të jemi në një luftë tregtare që u nis nga Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e parashikueshme,” u tha ai gazetarëve në Otava.
Kanadaja vendosi menjëherë tarifa 25% për 30 miliardë dollarë kanadë të importeve të SHBA-së dhe Trudeau tha se këto masa do mbesin në fuqi derisa administrata Trump të përfundojë masat e saj.
Bessent e bëri të qartë pakënaqësinë e administratës, duke thënë në një ngjarje në Nju Jork se “nëse doni të jeni një kokëbosh si Justin Trudeau dhe të thoni ‘Oh ne do e bëjmë këtë’, atëherë tarifat do rriten”.
Në përgjigje, një burim i qeverisë kanadeze tha se Uashingtoni ishte i mërzitur sepse Otava ishte hakmarrë, shkroi Reuters.
Trudeau dhe Trump, i cili akuzon Kanadanë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar fluksin e fentanilit dhe emigrantëve të paligjshëm përtej kufirit, zhvilluan një bisedë telefonike 50-minutëshe të mërkurën (5 mars).
Komente
