"Jemi në fazë diskutimesh për amnisti penale". Kështu bëri me dije Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave duke thënë se ende nuk ka një vendim, por po diskutojnë me Drejtorinë e Burgjeve. Amnistia Penale është traditë e çdo fundviti që merr qeveria dhe i përket vitit 2020.
“Është traditë çdo fund viti qeveria merr iniciativë për të patur aministi penale. Aministia e fundit është bërë në 2020. Ne si ministri e drejtësisë me Drejtorinë e Burgjeve jemi në fazën e studimit dhe në momentin që kemi një studim dhe analizë do të bëjmë me dije opinionit publik. Po punojmë për të patur aministinë penale por jemi në fazën e studimit dhe analizës”, tha Manja.
Ndërkohë, në mbledhjen e ditës së sotme janë miratuar 2 akte që vijnë si propozim i Ministrisë së Drejtësisë. Akti i parë është ai i dëmshpërblimit financiar për 54 ish-të përndjekurit politik, të cilët do të marrin masën me këste. Akti i dytë është projektligji për shërbimin përmbarimor shtetëror. Manja tha se do t’i japë zgjidhje problematikave që janë hasur me këtë shërbim.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është shprehur se një nga aktet e miratuara në mbledhjen e sotme është dëmshpërblimi për 54 subjekte të cilët i përkasin shtresës së ish të përndjekurve politikë.
“Vendosëm për dëmshpërblimin e ish të dënuarve nga sistemi komunist, kjo për 54 subjekte. Subjektete e vendimit tonë janë jo vetëm për ata që e kanë vuajtur vetë, por dhe familjarët e tyre. Masa e dëmshpërblimit do të paguhet në këste. Kjo masë as nuk i zhbën e as nuk i kthen vuajtjet, por është masë e domosdoshme në aspektin ligjor dhe moral, pasi tregon mbështetjen e qeverisë për këtë kategori të shumëvuajtur. Është vendimi i 29-të që kemi kaluar gjatë qeverisjes tonë, do të ketë edhe vendime të tjera”, tha Manja.