Politikë

Ministri i jashtëm i Holandës takon Cakajn: Shqipëria progres të padiskutueshëm, meriton hapjen e negociatave

6 Qershor 2019, 20:50| Përditesimi: 6 Qershor 2019, 21:00

  • Share

Teksa qeveria e Holandës ka zyrtarizuar në KE kërkesën për rikthimin e vizave, ministri i jashtëm i Holandës, Stef Blok ka vlerësuar arritjen e Shqipërisë, kryesisht në fushën e drejtësisë. Në takimin zyrtar që ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj pati me Blok u diskutuan marrëdhëniet bilaterale, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe, në kuadër të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe pritshmëritë për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Siç njofton zyra e shtypit e ministrisë, Cakaj dhe homologu i tij holandez nënvizuan arritjet e reformave të Shqipërisë veçanërisht në fushën e drejtësisë. Progresi i Shqipërisë është i padiskutueshëm edhe sipas vlerësimeve të palës holandeze.

Po ashtu, në mënyrë që të adresohen shqetësimet e ndërsjella, përfshirë shqetësimet në fushën e migracionit të parregullt, u vlerësua jashtëzakonisht bashkëpunimi bilateral midis mekanizmave të rendit dhe sigurisë, si dhe u dakordua për bashkëpunim të mëtejshëm strategjik në të ardhmen.

Ministri Cakaj theksoi nevojën për një vendim pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, i cili do të ishte një mesazh inkurajues për Shqipërinë, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën Evropiane të tij. Për më shumë, një proces i tillë do të kontribuonte në thellimin e momentumit të reformave të nisura nga Shqipëria në përgjithësi.

Nëse diçka s’mund të vihet në pikëpyetje është pikërisht përmbushja e të gjitha kushteve teknike për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE nga ana e Shqipërisë. Një vlerësim i tillë është artikuluar nga vetë Komisioni Evropian në raportin e fundit për Shqipërinë. Më tej, në pajtim të plotë Ministri Cakaj dhe Blok, kanë përqafuar konsideratat e Komisionit për rëndësinë strategjike të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimore në përgjithësi.

Shqipëria dhe Holanda do të vazhdojnë bashkëpunimin strategjik dhe, natyrisht, bashkëpunimin intensiv në fushën e procesit të integrimit evropian. Holanda njeh përparimin rrënjësor dhe ndryshimet cilësore që po karakterizojnë Shqipërinë në vijimësi.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Era: 06/06/2019 21:10

    Ha ha. Paradite nuk do hapen negociatat(Hollanda), kurse mbasdite do ti *hapim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?