Ministri i Jashtëm i Qipros në takimet me kryeparlamentaren Spiropali dhe ministrin Hasani

Politikë

Ministri i Jashtëm i Qipros takohet me Spiropalin e Hasanin: Mbështesim përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

8 Shtator, 14:05| Përditesimi: 8 Shtator, 14:09

  • Share

Ministri i Jashtëm i Qipros, Costantinos Kombos, i cili ndodhet në Tiranë për konferencën Diplo2025, u prit në një takim nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe homologu i tij Igli Hasani.

Në takimet e mbajtur veç e veç, Spiropali-Kombos diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar si edhe vijimin e mbështetjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe politike dhe bashkëpunimi parlamentar me Qipron po zgjerohen e intensifikohen, në të gjitha nivelet. Presidenca Qipriote e Bashkimit Europian, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, do të jetë një momentum i favorshëm dhe mbështetje e fuqishme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mbështetja e gjerë popullore është frymëzuese, por edhe një detyrim i madh për Kuvendin, lidershipin e tij dhe konsensusin parlamentar në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane”, nënvizoi kryeparlamentarja Spiropali. 

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm qipriot vuri në dukje se politikat e zgjerimit dhe integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përbëjnë një prioritet  të Presidencës Qipriote dhe Qipro do të vijojë të mbështesë fuqimisht përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe ambasadorja shqiptare në Greqi, Luela Hajdaraga.

Ndërsa në takimin me ministrin Igli Hasani, ky i fundit nënvizoi rëndësinë se integrimi evropian i Shqipërisë është prioritet kombëtar.

“Presim të thellojmë bashkëpunimin me Qipron gjatë Presidencës së saj, një moment kyç për të avancuar integrimin e Shqipërisë”.

Takimi u fokusua gjithashtu tek forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fusha si ekonomia, turizmi, energjia dhe lidhjet tregtare, si dhe tek mundësitë për projekte të përbashkëta me interes për të dy vendet.

Vizita e Ministrit Kombos në Tiranë shënon një hap të ri në bashkëpunimin politik midis Shqipërisë dhe Qipros, në prag të 35-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?