Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati

Ministri i Kosovës: Beogradi përgjegjës për tensionet mbi dinarin

20 Prill, 23:01| Përditesimi: 20 Prill, 23:03

  • Share

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati thotë se nënshkrimi i një marrëveshjeje për një kredi prej 90 milionë eurosh me Bankën Botërore për për politikat, është një lajm i mirë për Kosovën. Zoti Murati i cili ndodhet në Uashington për takimet e pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thotë se rënia ekonomike i atribuohet sfidave të shumta globale, por se qeveria e Kosovës po merr masa të ndihmojë grupet e cenueshme.

Duke folur mbi vendimin e dinarit, ministri Murati e sheh problemin tek Beogradi që sipas tij, refuzon t’i bëjë transfertat në mënyrë të rregullt. Ai komentoi gjithashtu mbi vlerësimin për herë të parë të kreditit të Kosovës nga Fitch Ratings, duke thënë se do të ndihmojë me investimet e huaja.

Zëri i Amerikës: Në fillim një pyetje për një lajm të fundit, sipas së cilit Kosova për herë të parë ka marrë një vlerësim krediti nga Fitch Ratings. Çfarë do të thotë kjo për shëndetin financiar të vendit?

Hekuran Murati: Është lajm tejet i mirë për vendin tonë meqenëse është hera e parë që marrim vlerësimin kreditor nga një agjenci ndërkombëtare që bën vlerësime të tilla, në këtë rast është Fitch. Çfarë do të thotë kjo për shtetin tonë? Kjo do të thotë që fillimisht prezantohemi në skenën ndërkombëtare si një shtet me politika të matura fiskale. Pastaj, ky vlerësim, shërben edhe si një pasaportë e Republikës së Kosovës për çdo investitor të huaj i cili do të investojë në vendin tonë. Pra mund ta shohë shkurtimisht se si qëndron vendi dhe tjetra gjë është që kjo po ashtu ul edhe koston e financimit për shkak se rritet besueshmëria në vendin tonë. Kjo rrjedhimisht ul edhe koston e financimit për sektorin privat dhe ekonominë reale.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit këtu në Uashington ju nënshkruat një marrëveshje me Bankën Botërore. Mund të na njihni me detajet e kësaj marrëveshjeje?

Hekuran Murati: Patjetër. Marrëveshja ka të bëjë me një kredi të butë, me kushte koncesionare, të formës “development policy operation” apo një kredi për politika zhvillimore dhe mbështetjen e tyre. Në këtë rast, ne na është dashur të bëjmë një sërë reformash në disa shtylla të ndryshme të prioriteteve, në mënyrë që të përmbushim kushtet për të përfituar nga kjo marrëveshje. Marrëveshja ka vlerën 90 milionë euro dhe kushtet koncesionare janë që do të ketë zero për qind normë interesi, gjë që është tejet e favorshme sidomos në këtë kohë.

Zëri i Amerikës: Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova pritet të shënojë një rritje prej 3.7 për qind për këtë vit, më e larta në rajon, por me rënie krahasuar me fillimin e mandatit tuaj. Ekspertët thonë se kjo rritje është e pamjaftueshme. Si përgjigjeni ju?

Hekuran Murati: Që në fillim të mandatit, siç e dini, kishte një rritje ekonomike dyshifrore. Megjithatë për shkak të sfidave të vazhdueshme kemi pasur një ngadalësim. Vitin e kaluar e kemi përmbyllur me 3.4 për qind, por siç edhe e thatë, parashikimet edhe nga Banka Botërore por edhe institucionet tjera, janë që trendi të rikthehet në rritje të mëtutjeshme, nën supozimet që përfundimisht e kemi tejkaluar këto krizat globale që na prekin të gjitha shteteve.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak lidhur me dinarin. Rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme krijoi probleme me aleatët ndërkombëtarë. Ndërkohë, ajo që është pjesa e prekshme, konkrete është si të lehtësohen banorët serbë nga një masë e tillë...

Hekuran Murati: Tash, rregullorja si e tillë, e miratuar nga Banka Qendrore, parasheh vetëm se kërkesat minimale sa i përket trajtimit të transfereve të nivelit ndërkombëtar, pra siç janë në këtë rast ndihmat financiare që jepen nga shteti serb tek banorët rezidentë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës me kombësi apo përkatësi etnike serbe. Ne çfarë kemi kërkuar është që kjo gjë të mos bëhet përmes transferte kesh, pra me thasë me para siç e ka quajtur Kryeministri, sepse në atë formë krijohet mundësia për financim të aktiviteteve ilegale dhe terroriste, siç edhe pamë që ndodhi në shtatorin e vitit të kaluar. Por kjo gjë, nëse synimi është të ndihmohen qytetarët, të bëhet përmes transfertave ndërkombëtare. Tani çështja u problematizua pikërisht nga shteti serb në mënyrë të padrejtë dhe propagandistike, sepse shihet që nuk është urgjenca e nivelit të cilit ata e kanë thënë. Kemi tash katër takime në Bruksel ku vetë pala serbe refuzon të arrijë në një dakordim se si të lehtësohet ky transferi i mjeteve ndërmjet sistemit tonë bankar.

Zëri i Amerikës: Po kjo është ana e konsideratës politike, por konkretisht çfarë masash po merren që të mos preket popullsia nga një lëvizje e tillë?

Hekuran Murati: Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi masa të ndryshme mbështetëse. Do të thotë nëse flasim për pensionistë, përveç pensioneve kontributpaguese të shtyllës së dytë, që është fondi pensional, kemi edhe pensionin bazik, të cilin e përfiton secili person mbi 65 vjeç pavarësisht përkatësisë etnike apo diçka tjetër. Do të thotë, nuk është se kanë mbete të gjithë pa mjete. Por, edhe një herë po e them, problemi qëndron në faktin që shteti serb tani refuzon, përkundër propagandimit që është çështje urgjente, të gjejë mënyrën e duhur, përmes kanaleve zyrtare dhe të ligjshme të bëjë këto transfere.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, kur qeveria e zotit Kurti erdhi në pushtet, një nga premtimet kryesore ishte përmirësimi i gjendjes së vendit. Ai theksoi se ky ishte njëri nga përparësitë e qeverisë së tij. Megjithatë, partitë opozitare e akuzojnë qeverinë tuaj se gjatë mandatit tuaj jeta e qytetarëve është përkeqësuar, çmimet janë rritur dhe pagat jo në proporcion me rritjen e inflacionit. Si përgjigjeni?

Hekuran Murati: Jeta është vështirësuar në nivel global. Unë besoj që edhe këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka raste e raste kur qytetarët ankohen për shkak të rritjes së kostos së jetesës, sidomos produktet bazë.

Zëri i Amerikës: Por, në këtë rast po flasim për Kosovën...

Hekuran Murati: E njëjta gjë është transmetuar edhe në vendin tonë, në Kosovë, sepse kemi të bëjmë me inflacion të importuar. Çfarë mund të bëjë qeveria në këtë rast është të rrisë mbështetjen për grupet e cenueshme. Kemi rritur edhe pagat në sektorin publik. Vitin e kaluar total kostoja e pagave buxhetore është rritur në nivelin 17 për qind mesatarisht, krahasuar me vitin paraprak, pra është përtej nivelit të inflacionit. Sektorin privat po ashtu e kemi mbështetur me masa të subvencionimit për rritje të pagave, por kemi miratuar edhe disa ligje, siç është ligji për çmimet tavan, i cili pikërisht nga opozita është refuzuar dhe dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë. Dhe është edhe ligji për rritjen e pagës minimale, i cili po ashtu nga opozita është dërguar në Gjykatë Kushtetuese, që të bllokohet. Pra në vazhdimësi kemi veprime të opozitës që pengojnë të gjitha masat që mundohet qeveria t’i marr për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Por duhet që qytetarët vet t’i shikojnë këto masa lehtësuese, çfarë po bëhet që, siç të thuash, xhepat e qytetarëve t’i ndjejnë këto lehtësira?

Hekuran Murati: Sa për këtë, ne kemi pasur të konfirmuar edhe sipas Bankës Botërore, pakon më të madhe mbështetëse në rajon. Do të thotë ka qenë 4.3 për qind e bruto produktit vendor masa mbështetëse për të tejkaluar krizën e kostos së jetesës të inflacionit dhe krizën energjetike. Ka qenë një paketë gjithëpërfshirëse për pothuajse të gjitha shtresat në mënyrë që ta përballojnë më lehtë. Mirëpo gjithsesi kemi pasur edhe masa tjera, por që nganjëherë pengohen nga vet opozita./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?