Ministri i shëndetësisë Zemaj: Qëllimi të vaksinohet 75% e popullsisë kundër COVID-19 në Kosovë, dozat e para mbërrijnë në shkurt

2 Shkurt 2021, 09:18| Përditesimi: 2 Shkurt 2021, 09:23

  • Share

KOSOVË- Ministri në detyre i shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj pasi tha ditën e djeshme se vaksina anti-COVID do të mbërrijë në vend brenda muajit shkurt, ai shtoi gjithashtu se qëllimi është të vaksinohet 75% e popullsisë, duke filluar nga kategoritë më të rrezikuara nga virusi siç janë personeli shëndetësor, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.  

“Në muajin shkurt besojmë se procesi i vaksinimit do të fillojë edhe në Kosovë. Shpresa dhe angazhimi ynë janë që të shtohen dozat e vaksinimit dhe deri në fund të muajit qershor të kemi një numër të konsiderueshëm të vaksinuarve të qytetarëve të Kosovës”, tha Zemaj.

Ai tha se qëllimi është të vaksinohen 75% të popullsisë dhe se kjo nënkupton 2 milionë e 700 mijë doza, por fillimisht fokusi do të jetë të kategoritë më të rrezikuara ndaj COVID-19.

“Sipas planit të imunizimit dhe atë që ka përcaktuar IKShPK-ja ne pretendojmë që të vaksinojmë më shumë se 75% të popullatës dhe kjo nënkupton 2 milionë e 700 mijë doza për vaksinim në faza të ndara dhe me sigurimin e kushteve dhe kritereve që duhet të përmbajë përdorimi i një vaksine shpresojmë që kjo dinamikë do të plotësohet në komplet vitin 2021. Por ne do të fillojmë me grupe të cilat konsiderohen pjesa e moshuar, të sëmurët konik dhe personeli shëndetësor”.

Sipas mediave vendase, ai tha gjithashtu se çdo gjë është gati për të pritur vaksinat anti-COVID dhe se është siguruar zinxhiri i ftohjes.

“Është fat i mirë që kemi ecur me një dinamikë të shpejt. Kemi siguruar zinxhirin e ftohjes. Tash është i kompletuar edhe sa i përket standardeve mënyrës dhe mbajtjes së vaksinës të cilësdo që vjen në Kosovë”.

Gjatë intervistës, Zemaj është pyetur edhe lidhur me vaksinimin e qytetarëve në veri të vendit nga Serbia, por ai tha se nuk kanë informacione nëse ka ndodhur vaksinimi në veri, por nga institucionet dhe ministria e Shëndetësinë vaksinimi do të bëhet për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Nuk kemi ndonjë informacion që ka pasur tentim ilegal ende i pakonfirmuar. E kemi trajtuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtar edhe me institucionet e sigurisë. Nuk kemi diçka konkrete se a ka ndodh apo nuk ka ndodhur një proces i tillë”.

Numri total i infektimeve nga koronavirusi ka shkuar 60.500, ndërkohë që ai i viktimave është 1.503 në të gjithë vendin që nga fillimi i pandemisë, duke përfshirë edhe përditësimet e ditës së sotme.

Ditët e fundit në Kosovë është ngritur alarmi pasi në vend janë regjistruar 3 rastet e para pozitive me variantin britanik të COVID-19.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?