Ministri për Siguri i Bosnje e Hercegovinës, është akuzuar formalisht sot për korrupsion dhe keqpërdorim, pas shitjes së parregullt të armëve dhe pajisjeve ushtarake një dekadë më parë. Në atë kohë, ministri aktual i Sigurisë mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes.
Gjykata kryesore e Bosnje e Hercegovinës, konfirmoi sot ngritjen e aktakuzës kundër Selmo Cikotiq, duke e akuzuar për dëmtim të shtetit për rreth 5 milionë euro.
Sipas aktakuzës, Cikotiq kishte ndryshuar kushtet e kontratës tek pjesa e cila iu referohej “shkeljeve në procedurë të përcaktuar ligjërisht” për shitjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake të vjetra e të tepruara, me qëllim që të favorizojë blerësin, respektivisht kompaninë kroate SCOUT.
Sipas aktakuzës, Cikotiq i bëri këto ndryshime duke mos i njoftuar fare anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës apo këdo tjetër.
Bosnje e Hercegovina konsiderohet një prej shteteve më prirjen më të lartë për korrupsion në Europë, pjesërisht për shkak të kornizës komplekse administrative por edhe për shkak të ndarjeve të thella etnike e politike që mbetën në vend që nga lufta, nga viti 1992-1995.