Ministri italian i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë i Republikës Francesco Lollobrigida do të zhvillojë një vizitë zyrtare ditën e hënë në Tiranë, me ftesë të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca. Vizita e ministrit Italian Lollobrigida, vjen pas vizitës të ministres Krifca në Itali, në fillim të dhjetorit të kaluar, ku gjatë takimit mes tyre homologët ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme për të dy vendet si mundësia e rritjes së prezencës së produkteve shqiptare në tregun italian, rritja e potencialit të bashkëpunimit për ullirin apo edhe lidhja direkte e pikave të grumbullimit me hipermarketet italiane për fruta dhe perime.
Këto tema por edhe mjaft pika të tjera të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve do të risillen në tryezën e bisedimeve këtë herë në Tiranë, ku ministri Lolobrigida do të ketë takim me ministren Krifca dhe me delegacionet respektive.
Ministrja Krifca dhe Lolobrigida pritet të konkludojnë me një memorandum mirëkuptimi mes institucioneve që drejtojnë për bashkëpunim në disa fusha të rëndësishme mes të cilave promovimi i mundësive tregtare dhe investuese për bizneset, veçanërisht në sektorët e agroindustrisë dhe të përpunimit të ushqimit, nxitja në shkëmbimin e përvojave në sektorin e kultivimit të ullirit dhe përpunimin e vajit, vreshtarinë dhe prodhimin verërave, si dhe në fushën e prodhimit të bagëtive për bulmet dhe mish; promovimi i bashkëpunimit bashkëpunimin teknologjik në fushën e mekanizimit bujqësor dhe teknikave agronomike si dhe aspekte të tjera.
Ministrit do të ketë edhe disa takime me biznesin italian në vendin tonë, por edhe me prodhues vendas të verës dhe të ullirit. Në fokus të bisedimeve në takimin dypalësh me homologun italian, ministrja Krifca do të ketë zgjerimin e tregjeve për eksportet shqiptare si dhe mbështetjen për programet shqiptare të zhvillimit rural.
Vizita e ministrit italian të Bujqësisë përbën zhvillim pozitiv për nxitjen e marrëdhënieve mes palëve edhe në fushën e Bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe lidhjes së partneriteteve të qëndrueshme për zgjerimin e eksporteve shqiptare në tregje të reja.