Shumë i butë, i dashur Bibi. Ajo që indinjon botën e pafuqishme, masakrimi i dhjetëra mijëra banorëve të Gazës, është ajo që skandalizon edhe botën e vogël por shumë të fuqishme të aleatëve të tij ultra. Por për arsyen e kundërt: pasi u recituan lutjet dhe përfundoi shabati, mbrëmë, lideri fetar dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, postoi në rrjetet e tij sociale një video akuze ndaj Netanyahut. Tre minuta, për të përsëritur se tashmë kishte "humbur besimin" tek Bibi dhe se "plani për Gazën do të dështojë". Sipas Smotrich, kryeministri izraelit ka hyrë në luftë me dorë tepër të lehtë. Dhe po humbet kohë, sepse qyteti i Gazës duhet rrafshuar menjëherë dhe jo pas dy muajsh. Dhe ka shmangur në mënyrë hipokrite vendime të tjera radikale, si shkarkimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, i cili në fakt e konsideronte një kurth vdekjeprurës për IDF-in pushtimin e plotë të Rripit.
Gjëja e çuditshme, por as aq, është se Netanyahu nuk bëri asnjë veprim. Ashtu si të premten nuk e shkarkoi gjeneralin Zamir, pas dhjetë orëve dramatike mbledhjeje në të cilat në fund u vendos pushtimi ushtarak total, po ashtu dje nuk bëri asnjë koment pas fjalëve të Smotrich. "Do të ishte sikur sekretari amerikan i Thesarit të publikonte një sulm ndaj politikave të presidentit Donald Trump — komenton Haaretz —, duke shpallur se kishte “humbur besimin” në aftësinë e presidentit për ta drejtuar Amerikën drejt prosperitetit dhe suksesit ekonomik. Dhe të nesërmen në mëngjes, të mos kërkonte falje, as të mos i tërhiqte fjalët e tij. Dhe Trump të mos i kërkonte dorëheqjen nga qeveria. Natyrisht, e gjitha kjo do të dukej si një absurditet absolut, një skenar i pamundur që nuk do të ndodhte kurrë, jo vetëm nën mbikëqyrjen e Trump, por në shumicën e qeverive të botës. E megjithatë, në Izrael, ky është realiteti". Përfundon gazeta izraelite: "Është diçka që Sharon apo Rabin nuk do ta pranonin kurrë".
Topi i lirshëm Smotrich, i cili bashkë me ministrin tjetër ultra Itamar Ben-Gvir shpesh e ka shantazhuar Netanyahun në vendime, dje shkoi më tej: një zëvendës i tij tha se mikro-partia e tij sioniste fetare Rzp — që sipas sondazheve nuk është e aftë as të hyjë në Knesset — mund ta rrëzojë qeverinë dhe të kërkojë zgjedhje të reja, nëse plani për Gazën nuk ndryshohet. Deklaratat më bombastike të Smotrich vlejnë zakonisht sa ato pajtuese të Hamasit: zero. Dhe Netanyahu e di. Sepse kryeministri nuk do zgjedhje dhe nuk i duan as kippah-t më ekstremiste të tij. Por shtytja e religjiozëve të Rzp është një kurth. Tregon se Bibi është edhe më i shantazhueshëm nga sa mendohej. Dhe nëse shpërthimi i Smotrich do t’i bashkohej presioneve të familjeve të pengjeve, të cilat të dielën do të organizojnë një grevë të përgjithshme, ose madje kritikave ndërkombëtare dhe pakënaqësisë së vetë IDF-it, atëherë pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Dhe të çojnë vërtet në një ndryshim strategjie në luftë. Ose edhe në votime: Yair Lapid, lideri liberal i opozitës, i ka kërkuar tashmë Smotrich të bashkëpunojë për ta rrëzuar Netanyahun dhe "t’i japë zë" zemërimit të një vendi të zhytur në një luftë të pafund, që po i ngjan gjithnjë e më shumë një Vietnami.
Në shfaqjen e tij të dyfishtë, si një “fitues" i madh, Bibi dje nuk e preku këtë buton. Por u zgjat në mohimin e të drejtës së palestinezëve për një shtet, temë e dashur për ultrasit: "Është diçka që i tremb izraelitët", tha ai. Para luftës, një e treta ishte pro. Por tani gjithçka ka ndryshuar. Nuk do të kryejmë një vetëvrasje kombëtare vetëm për të marrë në media një editorial të mirë prej dy minutash". A do të mjaftojë shmangia e vetëvrasjes politike për të vazhduar të mbijetojë?/Corriere della sera
Komente
