Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1975, ku ndodhen disa raport-informacione të sektorit të marrëdhënieve me Jashtë të KQ të PPSH-së, lidhur me punimet e materialit të plenumit të 7-të të Komitetit Qendror “Mbi veprimtarinë armiqësore dhe sabotuese të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës e Vasil Katit në sektorin e ekonomisë”.
Raport-informacioni i plotë i hartuar nga Peçi Orgocka drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me zhvillimin e mbledhjeve në organizatat bazë të përfaqësive diplomatike jashtë shtetit, ku u diskutua veprimtaria e Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit, Lipe Nashit, Andrea Manços, Sami Muhametit etj. Akuzat e ambasadorit Musin Kroi, i cili tha se: “Në vitin 1952 kur ishim jashtë shtetit, Kiço Ngjela, më kërkoi që t’i dërgoja diçka për vete. Ja dërgova me kusht që vleftën t’ja paguante më vonë familjes në Tiranë. Ai, nuk e pagoi as atëherë, e as më vonë. Ministria e Tregtisë, e kishte përqendruar punën e saj tek Sami Muhameti dhe tek Andrea Manço. Nuk dëgjohej zëri i masave. Drejtorët e Ndërmarrjeve, ishin bërë si Presidentët e firmave kapitaliste. Ata, merrnin vetëm mendimin e Kiços. Ministria e Tregtisë, ka bërë pak gjëra në drejtim të Përfaqësisë sonë Tregtare”.
Fondi: Komiteti Qendror i Partisë Punës Shqipërisë
Sektori i Jashtëm)
Titulli dhe përmbajtja:
-INFORMACIONE TË SEKTORIT TË JASHTËM TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH.
-MBI DISA MENDIME DHE PROPOZIME PËR INFORMIMIN E MATERIALEVE TË PLENUMIT TË 7-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, MBI VEPRIMTARINË ARMIQËSORE DHE SABOTUESE TË ABDYL KËLLEZIT DHE KOÇO THEODHOSIT NË SEKTORIN E EKONOMISË, NË ORGANIZATAT BAZË TË PËRFAQËSIVE TONA JASHTË SHTETIT.
-MBI DISA PROBLEME QË KANË DALË NGA MBLEDHJET E ORGANIZATËS-BAZË TË PARTISË NË VJENË DHE NË PEKIN, GJATË PUNIMEVE TË MATERIALEVE TË PLENUMIT TË 7-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH (PËR PUNËN ARMIQËSORE DHE SABOTUESE TË ABDYL KËLLEZIT, KOÇO THEODHOSIT, KIÇO NGEJLËS DHE VASIL KATIT, NË SEKTORIN E TREGTISË).
12.7.1975
Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga Peçi Orgocka, për zhvillimin mbledhjeve të organizatave bazë në përfaqësitë tona jashtë shtetit, lidhur me veprimtarinë e Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit, Lipe Nashit, Andrea Manços, Sami Muhametit etj.
I N F O R M A C I O N
Mbi disa çështje që janë ngritur nga komunistët e organizatës bazë të Pekinit gjatë punimit të materialeve të Plenumit të VII-të të KQ të PPSH.
Gjatë punimit e diskutimit të materialeve të Plenumit të VII të Komitetit Qendror në organizatën bazë të ambasadës sonë në Pekin, veç të tjerave janë ngritur këto çështje:
1 – Për Abdyl Këllezin
Abdyl Këllezi, arriti të vendosë në Komisionin e Planit të Shtetit një decentralizim të theksuar. Ai, hoqi nga planifikimi i centralizuar mallrat e importit, dhe merrej me caktimin e kuotave për dikasteret. U linte kështu dorë të lirë të porosisnin ç’të donin brenda kuotës.
2 – Për Kiço Ngjelën
Kiço Ngjela, nuk luftonte sa duhej në qeveri, madje shpesh na thoshte “Ç’ju lipse juve, ne kërkojmë sa më shumë, le të mendojnë ata si do t’i realizojnë”. Kiço Ngjela, ndryshe sillej me Sami Muhametin, Andrea Mançon, Petro Takun, dhe ndryshe me të tjerët. Nuk mund të shaheshin ata.
Ai, kishte dobësi për Mançon dhe interesohej për sëmundjen e tij, dhe ku nuk e kishte dërguar për kurim atë. Kur nuk donte Manço në Budapest ai, e dërgonte në Pragë. Morëm vesh që e dërgoi dhe në Itali për mjekim.
Ai kishte besim të patundur tek Muhameti e tek Manço. Në kundërshtim me insistimet tona që të kontrollohej shpenzimi i valutës së lirë nga Ministria e Tregtisë, ai i’u linte atyre dorë të lirë që të bënin ç’të donin.
Shoku Musin Kroi, ngriti problemin që në vitin 1952 kur ishin jashtë shtetit, Kiço Ngjela, më kërkoi që t’i dërgoja diçka për vete. Ja dërgova me kusht që vleftën t’ja paguante më vonë familjes në Tiranë. Ai, nuk e pagoi as atëherë, e as më vonë.
Ministria e Tregtisë, e kishte përqendruar punën e saj tek Sami Muhameti dhe tek Andrea Manço. Nuk dëgjohej zëri i masave. Drejtorët e Ndërmarrjeve, ishin bërë si Presidentët e firmave kapitaliste. Ata, merrnin vetëm mendimin e Kiços. Ministria e Tregtisë, ka bërë pak gjëra në drejtim të Përfaqësisë sonë Tregtare.
Ajo, nuk ka dhënë asnjë udhëzim ose direktivë për zbërthimin e vendimeve të Partisë. Udhëheqësve të Ministrisë së Tregtisë, u vinin shumë pako nga jashtë me të cilat visheshin gratë dhe fëmijët e tyre. Kiço Ngjela, kishte besim vetëm tek punonjësit e Tregtisë, dhe jo tek të tjerët.
3 – Për Koço Theodhosin
Koço Theodhosi dhe Rrahmi Shehu, kishin të drejtë që t’i përdornin si të donin fondet. Ai, kishte grumbulluar në ministri njerëz si Lipja dhe Rrahmiu. Koço, kishte ndihmës të tij një person që ishte teknik i mesëm dhe rrogën e merrte nga Drejtoria Qendrore e Naftës.
4 – Për Lipe Nashin
Lipe Nashi, kishte vënë në vende kyçe, njerëz të degjeneruar dhe me prejardhje jo të mirë. Ai, kishte shpërndarë shumë materiale për Ushtrinë dhe kooperativat bujqësore. Lipe Nashi, ishte njeri i kamufluar.
5 – Për Vasil Katin
Vasil Kati, ju thoshte njerëzve që iknin jashtë shtetit se ata e dinin sesa e kishte numrin e këmbës gruaja dhe vajzat e tija, pra ju kërkonte atyre që ti sillnin këpucë nga jashtë shtetit.
6 – Për Andrea Mançon
Kur Andrea Manço, ishte në Kinë u zu në mënyrë jo të hijshme me punonjësit kinezë të Tregtisë, dhe u soll me ta si një harbut. Ai, ishte kapadai i madh.
7 – Për Sami Muhametin
Me Sami Muhametin, nuk kishim dëshirë që të bënim korrespondencë pasi telegramet e tij ishin, dekonspirues dhe fyes. Gjatë diskutimit për thellimin e mëtejshëm të luftës kundër burokratizmit, organizata bazë e Partisë ka vendosur që:
A – Në sektorin e Tregtisë, përveç personit të hequr më parë, të iki edhe një tjetër. Konkretisht shoku Kosta Gjika që ikën, të mos zëvendësohet.
B – Deri në fund të vitit, të iki dhe një person tjetër në degën e objekteve, meqenëse shumë objekte përfundojnë së ndërtuari dhe se objektet e reja që do të ndërtohen 5 vjeçarin e ardhshëm, do të fillojnë të ndërtohen pas disa vitesh.
C – Në sektorin e Tregtisë dhe objekteve, të caktohet një spontatore nga shoqet që nuk janë në marrëdhënie pune. Ajo, do të ndihmojë në punën e spontimeve që tani po e bëjnë vetë shokët, dhe që kjo punë ju han atyre kohë.
D – Meqenëse nuk ka punë për një njeri, vendi i punonjësit që merret me bashkëpunimin tekniko-shkencor dhe me riorganizimin e ri që do të bëhet në sektorin e Tregtisë ky sektor, ti kalojë sektorit të energjetikës.
E – Alokacionet për punonjësit e ambasadës, të shkurtohen në masën 5-8 %. Për Sekretarin e Parë e lart të shkurtohen 8 %. Për Sekretarin e Dytë e poshtë të shkurtohen 5 %./Memorie.al
26.8.1975
Peçi Orgocka