Ministri Malaj te 'Ekonomia': Projektbuxheti 2025 garanton vijimin e uljes së nivelit të borxhit publik

11 Nëntor, 15:54| Përditesimi: 11 Nëntor, 15:55

  • Share

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ishte sot i pranishëm në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku u diskutua mbi deficitin dhe borxhin, në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2025.

Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi se projektbuxheti 2025 materializon plotësisht objektivat kryesorë të politikës fiskale si: një balancë primare pozitive; reduktimin e borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, duke synuar për vitin e ardhshëm një nivel borxhi prej 55.8 % të PBB nga 56.3 % që pritet deri në fund të vitit 2024; sigurimin e një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore.

Fjala e Ministrit Petrit Malaj

Sikurse kemi prezantuar, Projektbuxheti i vitit 2025 synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal, i cili siguron qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

Ndër vite është arritur një progres mjaft i qenësishëm në konsolidimin fiskal. Në vitin 2023, regjistruam një balancë primare pozitive, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul sërisht ndjeshëm me 6.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022, duke arritur në nivelin 57.5%, niveli më i ulët që nga viti 2008.

Rezultatet pozitive të deritanishme janë reflektuar edhe në përmirësimet e vlerësimeve të kreditit për vendin tonë. Në vitin 2023, Standard & Poors e ngriti vlerësimin e Shqipërisë nga "B+, pozitive” në "BB-,  e qëndrueshme " dhe së fundmi, në tetor 2024, gjithashtu Moody's e ngriti vlerësimin për vendin tonë nga "B1, pozitive" në "Ba3, e qëndrueshme". Këto janë dëshmi të besimit të institucioneve dhe investitorëve të tregjeve financiare ndërkombëtare në qëndrueshmërinë dhe drejtimin që ka marrë ekonomia shqiptare.

Projektbuxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale.

-         Materializohet plotësisht objektivi kryesor operacional i politikës fiskale për një balancë primare pozitive, kjo edhe sipas përcaktimit ligjor të rregullit fiskal të balancës primare që kemi në ligjin organik të buxhetit. Konkretisht ky projektbuxhet targeton një balancë primare lehtësisht pozitive, pra me një suficit primar prej 500 milionë lekësh.

-         Materializohet plotësisht objektivi thelbësor i politikës fiskale, ai i reduktimit të borxhit publik si raport ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB nga 56.3% i pritshëm për vitin 2024. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5% në vitin 2031, duke vijuar politikën e konsolidimit fiskal dhe duke respektuar rregullin përkatës fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit të shtetit.

-         Në të njëjtën kohë, ky projektbuxhet materializon gjithashtu edhe objektivin tjetër mjaft të rëndësishëm të politikës fiskale, atë të një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore. Pra, projektbuxheti 2025 është gjithashtu në përputhje të plotë edhe me “rregullin e artë” fiskal, ku ndërkohë që limiti i deficitit të përgjithshëm është në rreth 2.6% e PBB, shpenzimet kapitale totale janë buxhetuar në rreth 6.2% të PBB, pra që do të thotë një balancë fiskale korente pozitive prej rreth 3.6%  të PBB. Ose e thënë ndryshe, buxhetohen investime publike totale rreth 93 miliardë Lekë më tepër se sa deficiti i përgjithshëm.

Borxhi publik gjatë vitit 2024 është karakterizuar nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskale, buxhetin e planifikuar për vitin 2024 dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit. Në fund të muajit Shtator 2024, borxhi i qeverisjes qendrore u vlerësua në nivelin 13.7 miliardë Euro, duke u ulur me 130 milionë euro krahasuar me fundin e vitit 2023.

Huamarrja gjatë 9-mujorit 2024 u realizua në linjë me buxhetin vjetor, si dhe në përputhje me Planin e Huamarrjes së këtij viti. Tregu është karakterizuar nga zhvillime pozitive gjatë vitit 2024.  Huamarrja në terma bruto gjatë 9-mujorit u realizua në vlerën 325 miliardë lekë, nga të cilat 95.6% u financuan nëpërmjet burimeve të brendshme dhe 4.4% nëpërmjet burimeve të huaja. 

Në terma të huamarrjes vjetore neto, huamarrja për vitin 2024 pritet të realizohet në vlerën prej 45.9 miliardë lekë. Huamarrja e brendshme neto pritet të realizohet në vlerën prej deri në 50 miliardë lekë, ndërsa huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative 4.1 miliard lekë, pra ku maturimet e borxhit të jashtëm të tejkalojnë huamarrjen e siguruar nga burime të jashtme gjatë vitit.

Sa i takon huamarrjes së jashtme, gjatë vitit 2024, përveç disbursimit të kredive për financimin e projekteve të investimit, janë realizuar dhe pritet të realizohen disbursimi i një numër mbështetjesh buxhetore të planifikuara për këtë vit, siç janë:

(i)               mbështetja buxhetore nga KfW për reformën në sektorin e energjisë prej 50 milionë Euro, e cila u disbursua në fillim të vitit 2024;

(ii)             mbështetja nga Agjencia Franceze për Zhvillim nëpërmjet një huaje për politika publike për të mbështetur aftësinë ripërtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë, prej 50 milionë Euro, e cila pritet të disbursohet brenda këtij viti; si dhe

(iii)          mbështetja buxhetore e pritshme nga BE në kuadër të Planit të Rritjes që ka themeluar kjo e fundit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga ky program i BE vendi ynë pritet të përfitojë një financim në formën e granteve dhe huave me terma të buta në një shumë totale prej rreth 922 milionë Euro, të cilat synohet të disbursohen përgjatë një programi masash dhe veprimesh që parashikohet të shtrihet deri në fund të vitit 2027, masa  të cilat synojnë krijimin e mjedisit mundësues për transformimin ekonomik të Shqipërisë. Fondet e pritshme do të jenë në formën e mbështetjes buxhetore, si dhe në formën e financimit të projekteve të investimit.

Në këndvështrimin e kostos së borxhit, do të doja të theksoja disa tregues. Yield-i mesatar i ponderuar për Borxhin e Brendshëm në fund të muajit shtator 2024 rezultoi në nivelin 4.58% nga niveli 4.48% në fundin e vitit 2023 (rritje me 0.1 pikë përqindje). Rritja ka ardhur në kategorinë e instrumentave afatgjata, kryesisht si rrjedhojë e zëvendësimit të titujve me norma interesi të ulëta që maturohen, me tituj me norma interesi më të larta.

Në portofolin e borxhit të huaj, kosto mesatare për vitin 2024 parashikohet të rezultojë në vlerën 4.11% nga niveli 3.07% në fundin e vitit 2023, rritje me 1.04 pikë përqindje si rrjedhojë e po të njëjtit fenomen, atij të zëvendësimit të instrumenteve të borxhit të siguruara në periudha ku normat e interesit ishin në nivele të ulëta, me instrumente borxhi të siguruara në rrethana me norma interesi më të larta.

Kjo ishte një rritje e pritshme që në fazën e përgatitjes së projektbuxhetit, ndaj edhe në zërin e shpenzimeve për interesa të borxhit ishin parashikuar fonde të cilat kanë rezultuar të mjaftueshme për vitin 2024. Theksojmë se efekti i rritjes së normave të interesit është reflektuar shumë i zbutur në koston reale të borxhit, kjo falë përmirësimit të strukturës së borxhit, rritjes vazhdueshme të peshës së borxhit me norma fikse dhe rritjes gjithashtu të peshës së borxhit afatgjatë.

Në buxhetin e vitit 2025 janë parashikuar rreth 62.8 miliardë Lekë për shpenzime për interesa (37.9 miliardë për interesa të borxhit të brendshëm dhe 24.9 miliardë Lekë interesa për borxhin e jashtëm) dhe 5.8 miliardë Lekë kontigjenca, fond ky i parashikuar për të përballuar kosto të materializimit të rreziqeve potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit. Projeksionet në lidhje me shpenzimet e interesave në buxhetin e vitit 2025 vlerësohen të jenë realiste, bazuar në zhvillimet më të fundit të tregjeve. Megjithatë, duke filluar nga viti 2017, në zbatim të detyrimit ligjor të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, në buxhetin e shtetit janë programuar kontigjenca të veçanta për të përballuar rritjen e shërbimit të borxhit që mund të burojë nga rritja e normave të interesit apo edhe prej luhatjes së kursit të këmbimit përtej pritshmërive.

Do të doja të ndalesha tani në një shpjegim të përgjithshëm mbi borxhin dhe elementët e tij, pasi për ne është shumë i rëndësishëm jo vetëm niveli i përgjithshëm i borxhit dhe ulja e vijueshme e tij, por edhe kompozimi i borxhit, si dhe pasja e një portofoli me sa më pak risqe. Menaxhimi i borxhit, pavarësisht ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare të reflektuara edhe në tregun e brendshëm, ka qenë i suksesshëm si në rinovimin me sukses të borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, ashtu edhe duke siguruar financimin e nevojave buxhetore. Kjo është mundësuar falë edhe përpjekjeve të përmirësimit të strukturës së borxhit në vite, si dhe forcimit të kapaciteteve të menaxhimit, duke përfshirë dhe daljet e rregullta me Eurobonde. Përpjekjet për përmirësimin e strukturës së borxhit kanë vazhduar pavarësisht rrethanave më sfiduese të viteve më të fundit.

Borxhi aktualisht përbëhet nga:

-         borxh i brendshëm, i cili zë rreth 57.5 % të totalit të borxhit, dhe

-         borxh i jashtëm, i cili zë 42.5 % të tij.

Viti 2024 ka shënuar përmirësim të mëtejshëm përsa i përket menaxhimit të borxhit publik dhe realizimit të huamarrjes. Treguesi i peshës së borxhit të jashtëm ka pësuar një ulje nga ai i fundit të vitit 2023, ku ky tregues vlerësohej në 45.6%. Ne synojmë uljen e mëtejshme të tij në periudhën afatmesme, në linjë edhe me strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit, e cila synon një kujdes të shtuar sa i takon ekspozimit të borxhit ndaj luhatjes së kursit të këmbimit dhe mbajtjen nën nivelin 50% të borxhit të emetuar në valutë të huaj.

Nga këndvështrimi i jetëgjatësisë së borxhit, kemi:

-         borxh afatshkurtër që përbën rreth 15% të totalit të borxhit,

-         borxh me afat maturimi mbi një vit në nivelin rreth 85% të totalit të borxhit.

Kujdes të shtuar i është kushtuar jetëgjatësisë së borxhit dhe në veçanti borxhit të brendshëm, i cili paraqet një risk rifinancimi më të lartë. Ndaj, dhe fokusi i menaxhimit të borxhit ka qenë dhe mbetet në drejtim të rritjes së jetëgjatësisë së borxhit të brendshëm, vit pas viti. Jetëgjatësia e tij aktualisht, në fund të nëntëmujorit 2024, është në nivelin e 928 ditëve (2.56 vite), që shënon jo vetëm një përmirësim krahasuar me nivelin e fundit të vitit 2023 (835 ditë ose 2.3 vite), por shënon gjithashtu edhe vijueshmëri të një përmirësimi të synuar e të arritur ndër vite, ku në harkun kohor të 5 viteve ky tregues është rritur me mbi 100 ditë dhe në harkun kohor të 10 viteve ky tregues është rritur me rreth 300 ditë.

Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit sipas instrumenteve, mbi 70% të tij e mbajnë instrumentët e tregtueshëm (bono thesari, obligacione, eurobond). Pesha e instrumenteve të tregtueshme vlerësohet të jetë në rritje nga viti në vit kryesisht për shkak të emetimeve më të shpeshta në tregjet ndërkombëtare, por edhe për shkak të rritjes së huamarrjes në tregun e brendshëm, bazuar në rritjen e nevojave për financim gjatë viteve të fundit, duke filluar nga viti 2020.

Sa i takon kompozimit sipas llojit të interesit, në stokun e borxhit të brendshëm, instrumentet me norma të ndryshueshme përbëjnë më pak se 1% të totalit. Pesha e instrumenteve me norma të ndryshueshme ka ardhur në ulje nga viti në vit, duke qenë se Ministria e Financave nuk ka emetuar më tituj me norma interesi të ndryshueshme duke filluar nga viti 2016, në përputhje me objektivat për reduktimin e riskut të normave të interesit.

Ndërkohë, në portofolin e borxhit të jashtëm, mbi 60% të peshës e mban borxhi me normë interesi fikse.

Gjatë viteve të fundit, ekspozimi ndaj riskut të normave të interesit është menaxhuar nëpërmjet zgjerimit të portofolit të borxhit të brendshëm me tituj afatgjatë me norma interesi fikse.

Si pjesë e borxhit shtetëror, theksojmë edhe borxhin e garantuar, i cili në fund të muajit shtator 2024 vlerësohet në rreth 35.6 miliardë Lekë, duke shënuar një rënie me rreth 5.8 miliardë Lekë krahasuar me fundin e vitit 2023. Garancitë në tregun e brendshëm zënë rreth 40.7% të stokut total të borxhit të garantuar ose 14.5  miliardë lekë, ndërsa garancitë e dhëna në favor të kreditorëve të huaj përfaqësojnë 59.3% të stokut të borxhit të garantuar ose 21.1 miliardë lekë.

Rreth 79% e totalit të garancive shtetërore i përkasin sektorit të energjisë, duke reflektuar politikat e qeverisë në drejtim të mbështetjes së këtij sektori, sidomos gjatë viteve të fundit në kushtet e vështirësisë me të cilën është përballur ky sektor.

Sa i takon financimit të vitit 2025, në skenarin bazë, nevoja për financim neto nëpërmjet huamarrjes është rreth 58.2 miliardë lekë.

Nga këto, rreth 50 miliardë janë planifikuar të mbulohen nga huamarrja e brendshme, ndërsa financimi në tregun e huaj për vitin 2025 planifikohet të jetë në vlerën 8.2 miliardë Lekë. Huamarrja e huaj planifikohet të realizohet nëpërmjet disbursimit të huave për financimin e projekteve, huave në formën e mbështetjeve buxhetore, si dhe nëpërmjet emetimit të një Eurobondi në vlerë indikative rreth 600 milionë Euro.

Mbështetjet buxhetore të planifikuara për tu disbursuar gjatë vitit 2025 janë në shumën rreth 120 milionë USD nga Banka Botërore dhe 60 milionë Euro nga Agjencia Franceze për Zhvillim. Gjithashtu, në kuadër të Planit të Rritjes në vijimësi të zbatimit të masave të miratuara në Agjendën e Reformave Kombëtare do të mundësohen edhe disbursimet e huave në formën e mbështetjes buxhetore, si dhe në formën e financimit të projekteve të investimit përgjatë periudhës kohore dhe sipas mekanizmave të parashikuar në këtë plan.

Ripagesat gjatë vitit 2025 janë relativisht të larta, kryesisht për shkak të maturimit të një prej Eurobondeve të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2025 maturohet Eurobondi i emetuar në vitin 2018, ku konkretisht maturohet vlera e mbetur prej rreth 367 milionë Euro..

Për optimizimin e kostos, huamarrja nga partnerët e zhvillimit për mbështetje buxhetore ose për financimin e projekteve do të jetë një burim i rëndësishëm financimi. Republika e Shqipërisë vazhdon të ketë një bashkëpunim të gjerë në këtë drejtim me një numër të gjerë kreditorësh. Ndër kryesorët do të përmendnim Bankën Botërore, BERZH, KfW (Qeveria Gjermane), CEB, BEI, IDB, AFD e të tjerë.

Në drejtim të menaxhimit sa më efektiv të borxhit, do të doja të përfundoja duke theksuar disa përparime të tjera që kemi bërë në këtë drejtim së fundmi. Me qëllim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë të procesit të huamarrjes gjatë një viti buxhetor, Ministria e Financave përgatit tashmë një plan huamarrje vjetore, në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare, e cila miratohet dhe publikohet para fillimit të një viti të ri kalendarik. Gjithashtu, në drejtim të përmirësimit të implementimit të Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, si dhe rritjes së transparencës sa i takon zbatimit të strategjisë, Ministria e Financave përgatit një raport të veçantë monitorimi të zbatimit të strategjisë, duke analizuar thelbësisht ecurinë dhe shkaqet që mund të ndikojnë në një ecuri ndryshe nga ajo që synohet, dhe raportin e përgatitur përveçse e publikon në faqen e Ministrisë, një kopje të tij i vihet në dispozicion edhe Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Raporti më i fundit i monitorimit ka dëshmuar një zbatim efektiv të Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, ku të gjithë llojet e treguesve të riskut kanë shënuar përmirësim të ndjeshëm. Duke u mbështetur në zhvillimet e deritanishme si dhe në planin e huamarrjes për pjesën e mbetur të vitit, një përmirësim i ngjashëm pritet të shoqërojë gjithashtu edhe mbylljen e vitit 2024.

Kjo praktikë është vlerësuar pozitivisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ku në veçanti do të përmendja Bankën Botërore, e cila na asiston vazhdimisht për qasjen e praktikës së menaxhimit të borxhit në vendin tonë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?